Nga Klaudio Ndreca
Në mbrëmjen e djeshme ishte Kukësi që triumfoi kundër Dinamos falë golit të Bashës. “E bukura e mundi bishën”. Ekipi i bukur që u krijua nga Longo arriti që të mposhte “bishën” e formuar në verën e nxehtë, ku Shkëmbit iu la përgjegjësia që ta drejtonte. Pavarësisht preferencave të ndryshme mes tifozëve sa i përket ekipit që do të kërkonin për të dalë fitues në “Air Albania”, të gjithë bashkohen në një mendim pas takimit: “Ky ishte derbi i vërtetë, Tirana-Partizani duhet të marrin leksion”.
Fatkeqësia më e madhe ishte stadiumi i boshatisur në një spektakël futbolli si te Dinamo-Kukësi, por i tejmbushur dhe i papërmbajtshëm në rastin e varfërisë totale që u shtrua si pjatë kryesore në derbi. Por kush dalloi te ndeshja e djeshme? Në krahun e Dinamos kanë shkëlqyer pak futbollistë. Cinedu po vazhdon që të tregojë se është një “bishë” e vërtetë në sulm, por shumë pak i shërbyer.
Sulmuesi shfaq të gjithë fuqinë fizike ndaj kundërshtarit, aftësinë për të kaluar kundërshtarët dhe për të hyrë në zonë, por edhe gjuajtjen potente. I vetëm nuk mund t’ia dali dhe nuk ka shërbimin e shokëve të ekipit. Sidibe ishte i vetmi që dalloi mbi të tjerët në mesfushë, ndërsa Mihana “u ndez dhe u fik” brenda pak minutash.
Në nisje të ndeshjes dha përshtypjen se do të ishte i pandalshëm, ndërsa në vazhdim të saj nuk po shihej më në fushën e blertë. Ndërkohë ekipi çalon me mbrojtësit e krahut, Isaevski-Siljanovksi. Të dy këta futbollistë kanë mundësitë dhe aftësitë për të marrë fundoren dhe për të rrezikuar seriozisht Kukësin, por çuditërisht nuk e bëjnë këtë gjë dhe hedhin krosime të pakuptimta në zonë, që nuk krijojnë asnjë rrezik dhe shërbejnë vetëm për të dorëzuar topin.
Nga ana tjetër Harizaj është jo vetëm garanci për portën, por edhe një lojtar që shërben për të nxehur stadiumin me lëvizjet që bën duke kaluar disi në aventurë, për të dribluar kundërshtarët. Nuk kuptohet ende sesi lihet në stol për shumë gjatë Skuka dhe nuk i jepet më shumë besim. Ndërkohë nëse do të flasim për Kukësi, është një ushtri e gjatë e lojtarëve që meritojnë notën maksimale.
Për ta nisur që nga portieri Tafas që ishte vendimtar me pritjet e tij që i dhuruan fitoren Kukësit. Nga ana tjetër Bytyçi ishte brilant për personalitetin e madh që solli në fushën e lojës, duke dëshmuar gjithë talentin e tij. Më mbrapa nuk mbeti as Lulaj, pavarësisht disa gabimeve në pasime.
Te Kukësi janë një ar.më e fortë krahët e mbrojtjes. Ndreca-Peposhi janë jo vetëm të pakalueshëm në mbrojtje, por edhe të pandalshëm në sulm. Këtë herë ishte Peposhi që bëri zbritje më të rrezikshme drejt fundores, ndërsa më herët jemi mësuar me Ndrecën që të arrijë edhe të shënojë.
Por ndeshjet e verilindorëve fitohen gjithmonë në mesfushë. Një performance fantastike të vëllezërve Taipit iu bashkua në minutën e 54 edhe De Lukas. Rëndësinë që ka te Kukësi e dinim, por pas hyrjes së tij ndaj Dinamos e vërtetuam përfundimisht. Menjëherë ndërroi tërësisht edhe loja teksa verilindorët nuk humbën një duel të vetëm dhe i morën Dinamos të gjithë hapësirat.
Kryeqytetasit e kishin të pamundur që të kombinonin në mesfushë dhe e vetmja zgjidhje ishte dërgimi i topave të gjatë, kryesisht nëpërmjet Imamit. Në atë moment e gjithë ndeshja u duk se e kishte fituesin e sigurtë dhe ishte me histori të mbyllur, por duhej të prisnim vetëm për të kuptuar nëse suksesi do të arrihej me pikë apo knock-out, pra nëse do të kishim një tjetër gol nga Kukësi ose të njëjtin rezultat deri në fund.
Kështu shkoi ecuria e lojës me një De Lukas që i jep frymëmarrje skuadrës dhe e mban ekipin shumë larg portës së tyre. Dinamo kujtohet të sulmojnë dhe të fitojë metra vetëm në minutat e fundit, atëherë kur nuk llogaritet më asgjë për t’u humbur. Por nëse do të veçojmë dy yjet e këtij Kukësi janë Fejiao dhe Basha. Të dy këta futbollistë janë si qershia mbi tortë për t’i vendosur notën “10” spektaklit që ofron Kukësi i Longos. /Sport Ekspres/