Presidenti Refik Halili ka qenë i ftuar për një intervistë me gazetaren Enxhi Biba në “News 24”, ku ka folur gjerë e gjatë për Tiranën e tij. Kreu i bardhebluve ka prekur në fjalën e tij temat e merkatos, derbit, xhevahirëve të klubit apo edhe vazhdimësinë me Seferin dhe trajnerin Orges Shehi.
Merkato
“Mendoj që në fund të kampionatit do të nxjerrim të gjitha të metat dhe të mirat tona. Në një skuadër kur përfundon kampionati është mirë të mos bëhen shumë ndryshime, por këto varen edhe nga kontratat që do të bësh me futbollistët. Në përgjithësi e kanë edhe këtë, që kur janë mirë kërkesa është edhe më e madhe. Në merkato ka edhe dështime. Kanë dështuar edhe klube shumë të mëdha. Deri tani unë jam shumë i kënaqur me skuadrën.
Derbi
“E rëndësishme është që ne ta zhvillojmë këtë ndeshje, e cila nuk do as karikim e as bonus. Derbi është derbi dhe të gjithë kërkojnë që te kjo ndeshje të bëjnë më të mirën. Të shpresojmë që skuadra të vazhdojë të respektojë klubin, tifozët, familjet e tyre. Nëse për të ikur përpara drejt një objektivi, minimalisht Kupat e Europës, duhet të fitojmë çdo ndeshje. Ne kërkojmë pikë së pari të fitojmë ndeshjen për të vetmen arsye, sepse dalim jashtë objektivave”.
Tifozët
“Kuptohet që mungesa e tifozëve, mos të bëjmë vetëm atë që të themi se është një mbështetje shumë e madhe që i bëhet klubit në anën financiare. Doja ta lija në dorë të dytë. Por mungesa e tifozëve është shumë e madhe, sespe është tifozeria më e madhe në Shqipëri. Është tifozeri shumë e zjarrtë. Shpresojmë që në ditët apo sezonin e ardhshëm ti kemi në stadium. Pa tifozë futbolli është si tavolina e pashtruar me ushqim”.
Objektivat
“Meqenëse ne dolëm kampion vjet, është mirë që negjithmonë të jemi aty afër. Të jemi minimalisht në Kupat e Europës, për vetë emrin dhe për vetë skuadrën. Nëse këtu do të pësojmë dështim, është një humbje e madhe financiare. Por janë gjëra që duhen përballuar. Për sa i përket ndërtimit të skuadrës, kemi filluar të punojmë kohë më para. Pastaj do të flasim në ditët në vazhdim çfarë do të kemi. Kemi edhe rinovime që i kemi bërë dhe nuk i kemi bërë publike. Janë shumë të rëndësishme ato rinovime. Jemi shumë të gëzuar, pavarësisht se skuadër kundërshtare e jona, për ardhjen e ekipit të Dinamos. Vjen një ekip me tradita. Për klubin tonë është gjë shumë e mirë që do të kemi Dinamon sezonin e ardhshëm në Superiore. Ashtu sikurse është edhe Egnatina, që kam dëgjuar se po sponsorizojnë dhe po bëjnë punë shumë të mirë. Ne i dëshirojmë këto ekipe”.
Seferi
“Ajo është një marrëveshje e cila është me skuadrën e tij. Shpresojmë të gjejmë prapë një dakordësi me njëri-tjetrin. Mendoj që ai do të jetë lojtari jonë vitin e ardhshëm. Por kjo varet nga skuadra e tij, Jang Bojs. Kjo varet edhe nga dëshira e futbollistit. Nëse skuadra do të iki përpara, pra do ketë diçka të mirë gjatë këtyre 4 ndeshjeve, do të jetë marrëveshje më të lehta se sa të mos shkosh në Kupat e Europës”.
Ismajlgeci dhe Çelhaka
“Kam dëgjuar në një televizon që folën gjatë kësaj jave, ku thoshin se këtu në Shqipëri nuk ka kontrata 3-4 vjeçare. Ne kontratat me këto dy futbollistë dhe me të tjerë i kemi 4-vjeçare. Ato janë vërtetë xhevahirë, sepse janë moshë e re, sepse kanë bërë shumë mirë gjatë këtij kampionati dhe sezonit që shkoi. Tjetra është që janë të akademisë sonë. Nëse do të ketë ndonjë lëvizje jashtë Shqipërie, për të mos i penguar si për interes të tyre ashtu edhe të klubit tonë, ne përsëri do i zëvendësojmë me futbollistë të akademisë. Klubi jonë do të ketë minimalisht 3 lojtarë të akademisë në formacion. Ne i kemi piketuar. Janë futbollistë që luajnë te ne“.
Shehi
“Është paksa shpejt për të folur. Kur kam marrë futbollistin dhe sot trajnerin Shehi, e kam marrë me shumë dëshirë. Kam parë diçka te ai. Gjatë gjithë viteve kur luante kampion dhe kishte dalë shumë herë kampion, ishte shumë modest, shumë i thjeshtë. Te klubi jonë unë them se ka bërë mirë, se flasin vetë statistikat. Unë jam shumë i kënaqur”, ka deklaruar Refik Halili./Halit Delibashi-Sport Ekspres/