Marselo Brozoviç u dëmtua vetëm pak orë përpara sfidës ndaj Spal-it. Pas stërvitjes së të shtunës, për shkak të një problemi muskulor, trajneri Luçiano Spaleti vendosi ta linte mesfushorin kroat jashtë listës së lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen.
Në stadiumin “Ferrara”, drejtuesi i stolit të nterit do të jetë i detyruar të ndryshojë të paktën një element të mesfushës. Për momentin Matias Vesino nuk duket në diskutim, por pikëpyetja është se cili do të luajë përkrah tij. Nuk do të jetë Raxha Naingolan, i cili është i konfirmuar pas shpinës së sulmuesve. Sipas të gjitha gjasave, me Vesinon pritet të luajë Borja Valero.
Spanjolli është në avantazh në balotazhin me Roberto Galjardinin për të luajtur në mesfushë. 33-vjeçari mbetet ende surpriza më e madhe e zikaltërve. Pyetjes në konferencën përpara ndeshjes, nëse ka ndonjë futbollist që e ka befasuar më së shumti, Spaleti nuk përmendi as Lautaro Martinez dhe as Mateo Politanon. Pa u menduar gjatë, ai tha emrin e Borja Valeros.
Trajneri u përgjigj: “Lojtarët janë maksimalisht të angazhuar në stërvitje dhe nuk ka shumë vend për surpriza. Por, më befason fakti sesi një 45-vjeçar si Borja Valero arrin të stërvitet në këtë mënyrë (qesh). Është një futbollist që edhe pse mund të mos luajë për 4-5 ndeshje, arrin të bëjë diferencën në fushë edhe kur luan 5 minuta”.