Partizani do të luajë nesër kundër Lushnjës, sfidë që nuk ngjall shumë interes, pasi ekipi vendas është i rënë nga Superiorja, ndërsa “demat” llogariten se e kanë fitoren në “xhep”. Në kushte të tilla, Lushnja është kundërshtari i duhur për të larguar krizën te skuadra kryeqytetase. Dy humbjet radhazi me rivalët e kreut, Kukësin dhe Skënderbeun kanë prishur atmosferën në kampin e kuq. Trajneri Klevis Dalipi ka parë se si i ka rrëshqitur toka mbi këmbë për 180 minuta, pasi u “shpërfytyrua” pas humbjes 4-0 me Kukësin, ndërsa duhet të ankohet për mungesë fati në ndeshjen kundër Skënderbeut. Ekipi luajti mirë dhe kishte mundësinë që të fitonte, por nuk arriti të shfrytëzonte rastet me Abdurahimin dhe Asanin. Nga krahu tjetër, korçarët u treguan cinikë, pasi shënuan me një gjysmë rasti.
MUNGESAT – Përveç Lukasit, i dëmtuar rëndë, Partizani duhet të bëjë edhe pa disa lojtarë të tjerë. Kështu, Idriz Batha ka mbushur numrin 8 të kartonëve dhe Gerhard Progni numër 12, çka do të thotë që të dy duhet të pushojnë. Përveç tyre, me shumë gjasa nuk do të luajë as Lorenc Trashi, i cili pësoi një dëmtim në stërvitjen e së martës dhe nuk do të rrezikohet për nesër. Duke parë këto mungesa, takimi kundër Lushnjës vjen në momentin e duhur për Partizanin. Ekipi ka nevojë të kthehet te fitorja dhe të “nxjerrë” dufin dhe nuk ka kundërshtar më të mirë se Lushnja për ta bërë. Ekipi i trajnerit Ilir Gjyla mban vendin e fundit dhe nuk ka shumë cilësi brenda, pa harruar faktin se janë shumë të rënë psikologjikisht.