Trajneri i Lushnjes, Hysen Dedja, është kthyer të drejtojë në Loro Boriçi, por si kundërshtar, sepse sot u mund me Lushnjen e tij. Një disfatë e hidhur, që ndërlikon shumë renditjen, por Dedja nuk dorëzohet.
“Prisja shumë sot, prisja pikë, ashtu si në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Lojtarët u munduan, dhanë gjithçka, por na mungon ai hapi cilësor për të marrë pikë kudo. Lushnja vjen nga një kategori inferiore, i mungon eksperienca, por kemi hapësira përmirësimi dhe mendoj se do të marrim pikë në vazhdim.
“Më vjen keq për atë rast të humbur nga Sefa në pjesën e parë, ishte një mundësi e shkëlqyer dhe mund të kishim barazuar. Nëse ia dilnim, gjithçka mund të merrte rrjedhë tjetër.
Tani do të mundohemi të punojmë, do të rikuperojmë disa lojtarë dhe do të mundohemi të luftojmë fort çdo ndeshje, nuk do të dorëzohemi”.