Edhe pse i zhgënjyer nga humbja me Partizanin, trajneri i Lushnjës apelon për impenjim maksimal, për të shpresuar më pas te merkatoja
Arjan Likja
Në kampin verdhejeshil kanë nisur përgatitjet për transfertën e radhës, ku Lushnja do të përballet me kampionët në fuqi të Kukësit. Trajneri Hysen Dedja ka punuar dje me dy seanca stërvitore, ku paradite ka aplikuar përgatitje fizike, ndërsa pasdite e ka përqendruar punën tek ushtrimet me topin, duke aplikuar edhe një minutazh loje në aneksin pranë stadiumit “Roza Haxhiu”. Humbja ndaj Partizanit ishte shumë e rëndë për lushnjarët, pasi në pjesën e parë skuadra luajti mirë, por në dytë pati shumë probleme, sidomos në mbrojtje.
DEDJA – Për numrin një të stolit të Lushnjës, situata në klasifikim është rënduar së tepërmi, por trajneri Dedja shprehet se skuadra nuk duhet të dorëzohet deri në përfundim të gjysmës së kampionatit, kur ajo pritet të përforcohet me lojtarë cilësorë: “Kisha shumë besim se ndaj Partizanit futbollistët do të reagonin pozitivisht për të marrë pikë të plota. Ajo që më ka shqetësuar më shumë në atë humbje ishte loja e dobët dhe shthurja taktike që pësoi ekipi në pjesën e dytë. Jemi mundur nga Flamurtari dhe nga Kamza në dy takimet paraardhëse, por të paktën jemi ngushëlluar me faktin se kemi luajtur mirë. Ndërkohë, ndaj të kuqve kemi pësuar një humbje zhgënjyese, që nuk e prisja nga futbollistët. Do të vazhdoj të kërkoj t’i marr më të mirën e mundshme këtij grupi lojtarësh në ndeshjet e mbetura të këtij viti kalendarik. Pa dyshim që situata në klasifikim është kritike, por duhet të luftojmë fort. Në natyrën time nuk ekziston “dorëzimi i armëve” pa mbaruar lufta. Do të përpiqem të marr pikë në çdo takim, deri në mbyllje të fazës së dytë. Më pas, në janar, duke shpresuar edhe te ndërhyrja në merkato, do të përpiqemi të rikuperojmë sa të jetë e mundur diferencën që kemi në klasifikim me rivalët. Duhet të shpresojmë se do të largohemi nga dy vendet e fundit në tabelën e klasifikimit”, – ka theksuar dje mes të tjerash shkodrani i stolit lushnjar, Hysen Dedja.