Emanuele Ndoj ka pasur një debutim për tu harruar me skuadrën e Cosenza-s. Lojtari shqiptar zbriti në fushë kundër ish-ekipit të tij, Brescia-s, por do e mbyllte takimin shumë përpara kohe. Në minutën e 27 ndëshkohet me karton të verdhë për një faull të shkaktuar, ndërsa vetëm 5 minuta më vonë sheh arbitrin t’i tregojë përsëri të njëjtin karton, duke e detyryar kështu të lërë lojën.
Megjithatë trajneri i Cosenza-s nuk e fsheh vlerësimin e tij për Ndojin. Occhiuzzi ka deklaruar për mediat pas përfundimit të sfidës se ka humbur një lojtar të një cilësie që peshon shumë. Sipas tij Ndoj është një lider teknik dhe jashtëzakonisht shumë i dobishëm për ekipin që ai drejton.
“Humbja e një lojtari të asaj cilësie peshon shumë. E ndoqëm shumë dhe e nisi mirë lojën, pastaj ishte keq për episodin. Tani, e përsëris, duhet të punojmë shumë, si nga pikëpamja fizike, ashtu edhe nga ajo taktike. Theksoj edhe një herë kompaktësinë e ekipit. Ndoj është një lider teknik, një djalë i jashtëzakonshëm dhe jashtëzakonisht i dobishëm, shumë i qetë dhe i vëmendshëm ndaj asaj që bëjmë.
Sot ai kërkoi leje për të kryer një goditje dënimi. Të bën të kuptosh se çfarë lojtari është. Për përjashtimin, Aureliano na tha se ka hyrë me këmbën lartë dhe për këtë e ka paralajmëruar edhe nëse ka hyrë me top. Nëse nuk do ta kishte kapur topin, na tha arbitri, do të ishte një karton i kuq direkt”, ka thënë Roberto Occhiuzzi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/