Në fitoren 4-0 të Kosovës, vëmendje mori edhe debutimi i talentit të ri të portës, Arijanet Muriç. Vetëm 20-vjeçar, por me një prezencë të madhe në portë dhe ndërhyrje të rëndësishme, si ndodhi të paktën në dy raste kundër Azerbajxhanit.
Në ndeshjen më të rëndësishme të përfaqësueses më të re në kontinent, “gardiani” ishte titullar në vend të kapitenit Samir Ujkani. Fitore, festë, entuziazëm: Kosova fitoi Grupin 3 duke u ngjitur në Ligën C të Nations League dhe është vetëm dy ndeshje larg “biletës” në Euro 2020. Një moment, të cilin Muriç nuk do ta harrojë.
“Jam shumë i lumtur. Ky është një moment special për mua. Ndihem i kënaqur për mënyrën si e mbrojtja portën, si luajtëm dhe për fitoren e arritur”, deklaroi Muriç, që kishte edhe një mesazh për trajnerin e tij te Mançester Siti, Pep Guardiola.
“Jam i kënaqur që arrita të debutoja me përfaqësuesen e Kosovës, pikërisht në këtë moment kaq të rëndësishëm. Shpresoj që trajneri Guardiola ta ketë parë këtë ndeshje”, tha Muriç duke qeshur. Trajnerit i “qytetarëve” e ka shprehur publikisht vlerësimin për talentin, duke deklaruar se përveç titullarit Ederson, me Muriç në skuadër, Mançester Siti e ka të ardhmen e portës së siguruar.