Prej më shumë se një dekade Seria A ka shtuar numrin e ekipeve pjesëmarrëse, duke kaluar në 20 skuadra, më shumë nga halli, sesa nga qejfi. Megjithatë, tani kthimi në 18 skuadra bëhet mision i pamundur nga kundërshtimi i klubeve mesatare dhe të vogla, që nuk duan rritjen e rivalitetit.
Nëse klubet e mëdha deri tani nuk janë ndier, tashmë ngre zërin presidenti i Napolit Aurelio De Laurentis, i cili kritikon ashpër futbollin italian: “Në vitin 1986 Seria A ishte me 16 skuadra, po të ktheheshim në atë pikë, do të ishim të gjithë më të lumtur dhe më kompetitivë. Dhe do doja që të binte vetëm një skuadër direkt nga kategoria. Kam folur shpesh për këtë gjë me presidentin e federatës Tavekio, i cili më ka thënë se e kemi në dorë ne, presidentët e Serisë A. Po atëherë, ai ç’bën në atë kolltuk, kur nuk merr asnjë vendim dhe herë na dëgjon e herë jo. Duhet të ndërhyjë edhe UEFA, për të vendosur një model fiks për çdo kampionat. Me 20 skuadra ka më shumë para? Nuk është e vërtetë, janë gënjeshtra që u shkojnë për shtat klubeve të vogla. Futbolli italian ka mbetur shumë mbrapa, duhen shtuar investimet, duhet rritur niveli i të gjitha skuadrave, edhe në fundin e tabelës”.
“Spanjollët marrin 700 milionë euro për transmetimin jashtë Spanje, ne kënaqemi me 300/400 milionë, nuk e kuptoj pse. Do të thotë që nuk dimë ta shesim si duhet produktin. Spanja ka Realin, Barcelonën dhe Atletikon, por ne kemi Juve, Napoli, Inter, Milan, Roma, Lacio e Fiorentina”.