De Biazi e zyrtarizon: Po, firmosa me Alaves

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, kthehet në La Liga, aty ku ka drejtuar Levanten në sezonin 2007/08. Më 14 qershor italiani me pasaportë shqiptare la drejtimin e kombëtares kuqezi, çuditërisht pas një suksesi të bujshëm në Izrael, por “pushimet” kanë zgjatur pak, vetëm muajt e verës, pasi ofertat nuk mungonin dhe De Biazi priti me qetësi ofertën e duhur, por edhe projektin e duhur. Dëshira e tij ishte të provohej në nivel klubi, nëse bëhej fjalë për kampionat serioz, ndaj tashmë i ka thënë “po” Deportivo Alavesit në Spanjë.

Lajmi u publikua dje nga mediat spanjolle, që e jepnin De Biazin shumë pranë klubit spanjoll, por sot De Biazi konfirmon për “Sport Ekspres” se ka firmosur: “Po, kemi pasur bisedime të gjata, por tani gjithçka është mbyllur, jam trajneri i ri i Alavesit”.

Pas 5 javëve të para, Alaves është i fundit në renditje, pa pikë dhe pa gola të shënuar, me 8 të pësuar dhe me Realin e Madridit përballë nesër pasdite, në Vitoria-Gasteiz. Mision i vështirë ai i De Biazit, i cili nesër do të jetë në tribunë, ndërsa do të debutojë pikërisht kundër Levantes, javën e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *