Danilo Alvesh: Sezon mjaft i mirë, golat do të vijnë

Sulmuesi brazilian i Flamurtarit: Kupat e Europës i arrijmë patjetër. Në mbrojtje jemi mirë, kurse në sulm kemi vuajtur pak. Rëndësi ka që ekipi të ecë përpara   

Elton Nika

Me fitoren ndaj Vllaznisë në Vlorë, Flamurtari u kthye në vend të dytë, një pozicion që synon ta ruajë në vazhdimësi. Ndeshja e radhës është me Laçin, sërish në Vlorë, dhe kuqezinjtë duan të regjistrojnë një tjetër fitore për të qenë edhe më të sigurt në pozitat e tyre në krye të renditjes. Por nuk do të jetë e lehtë për Flamurtarin, që përballë do të ketë një të shtëpisë, ish-trajnerin e tij Gentian Mezani, i cili po befason me ekipin laçian, që së fundi mposhti edhe Skënderbeun.

ALVESH – Braziliani Danilo Alvesh, një rrezik konstant për Vllazninë në ndeshjen e fundit, pas daljes së Bushiçit, i cilëson tri pikë të arta ato që skuadra mori në javën e fundit: “Falë Zotit, tashmë kemi tri pikë më shumë, – thekson sulmuesi i Flamurtarit. – Jemi dukë bërë një sezon mjaft të mirë deri në këtë fazë të kampionatit, por nuk duhet të harrojmë se ende nuk është luajtur as gjysma e tij. Me këtë dua të them se duhet të kemi kujdesin maksimal në dy ndeshjet e fundit të këtij viti. Ndaj Vllaznisë shënuam dy herë, duke lënë pas edhe ndonjë problem që kemi shfaqur përpara në sulm. Mbrojtja e Flamurtarit ka qenë padyshim repart mjaft cilësor deri tani dhe e vërteta është se kemi vuajtur përpara. Mendoj se e kemi lënë pas këtë problem në ndeshjen me Vllazninë, ku kemi marrë një fitore të merituar, madje mund të shënonim më shumë se dy gola. Me Vllazninë ishte një ndeshje e vështirë, për shkak të shiut dhe erës së fortë. Kushtet e motit ndikuan në nivelin e lojës, por e përsëri se rëndësi kanë 3 pikët”.

EUROPA – “Jemi në vend të dytë, një pozicion që na mundëson pjesëmarrjen në Kupat e Europës në fund të kampionatit. Dëshirojmë shumë që sezonin tjetër Flamurtari të jetë në Europë dhe besoj se i kemi të gjitha mundësitë si skuadër për ta arritur këtë objektiv, pavarësisht se ashtu siç është thënë nga klubi, synimi ynë është vetëm ndeshja e radhës. Kështu, le të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës në kampionat”, – ka shtuar më tej sulmuesi i kuqezinjve.

GOLI – “E pranoj, më mungon, por duhet të kuptohet diçka: unë jap gjithmonë maksimumin në fushë për fanellën e Flamurtarit dhe mbi të gjitha rëndësi kanë rezultatet e skuadrës, pastaj golat e Danilos do të vijnë”.

MERKATO – “Mendoj se është diçka pozitive, pasi gjithçka bëhet për të përmirësuar skuadrën dhe ne jemi të kënaqur. Të shohim, por gjithmonë afrimi i lojtarëve cilësorë i bën mirë skuadrës”. LAÇI – “Ndeshja e radhës ka vlerësim maksimal nga të gjithë ne. Nuk shohim asnjë kundërshtar nga pozicioni në renditje. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, përballë një skuadre shumë të mirë, por duam të vazhdojmë me këtë ritëm dhe do të përpiqemi të marrim më të mirën, një tjetër fitore në fushën tonë”, – ka përfunduar braziliani i Flamurtarit, Danilo Alvesh.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online