Afrimet e shumta të merkatos dimërore në repartin e avancuar shtojnë ndjeshëm konkurrencën në sulm, ku rrezikohen të gjithë për sa i përket formacionit, me përjashtim të kapitenit Bushiç, i cili duket më i qetë. Nëse Ardit Hoxhaj e Kamara janë të rinj dhe nëse ulen herë pas here në stol nuk është ndonjë tragjedi, për Danilo Alveshin diskutimi ndryshon.
Braziliani është sakrifikuar jo pak, duka luajtur në krah, gjë që ia ka ulur ndjeshëm rendimentin para porte, ndaj edhe Duro ka afruar lojtarë si Muarem, Nedeljkoviç e Gafuri, të aftë të luajnë në të dy krahët e sulmit. Alvesh është ndër lojtarët më të paguar në Vlorë, me 7 mijë euro në muaj, një pagë tepër e lartë për ta ulur në stol, nëse lojtarët e sapoardhur fitojnë formacionin. Verën e shkuar Skënderbeu ishte në kontakte me sulmuesin brazilian, i cili mund të dalë në treg tashmë me aprovimin e Flamurtarit, që natyrisht kërkon një pagesë për prishjen e kontratës, edhe pse jo ndonjë shifër të çmendur, sepse Danilo Alvesh hyn në 6 muajt e fundit të kontratës. Deri në fund të janarit, nëse ndonjë klub do të paraqitet në Vlorë me një ofertë zyrtare dhe do të gjejë marrëveshjen me Alvesh, me shumë gjasa braziliani do të largohet.