Okzhetpes triumfoi 3-0 ndaj Atyrai dhe një nga protagonistët e ndeshjes ishte sulmuesi Danilo Alvesh, i cili ka qenë pjesë e Flamurtarit në Vlorë. Ai shënoi golin e dytë të takimit, ndërkohë që u paraqit mjaft mirë dhe është përfshirë për të dytën herë në formacionin më të mirë të javës.
Faqja zyrtare e kampionatit, pflk.kl, i referohet statistikave të mbledhura nga programi Instat Sports, “Danilo Alvesh dha një kontribut të vlefshëm në fitoren e Okzhetpes. Braziliani ishte shumë aktiv dhe në listën e arritjeve të tij ishte jo vetëm goli. Ai ishte i saktë në 79% të pasimeve, arriti të ndalë 7 herë aksionet e kundërshtarëve, fitoi pesë duele në ajër dhe bëri tre gjuajtje në portë”, thuhet në vlerësimin e bërë për Danilo Alvesh.
Sulmuesi numëron tre gola të shënuar këtë sezon me Okzhetpes. Ai ka luajtur në 13 takime, 12 prej të cilave si titullar. 28-vjeçari është një nga lojtarët kryesorë të skuadrës dhe deri më tani po bën mirë. Sigurisht priten më shumë gola, por ajo nuk është pika e tij më e fortë.