Realisht, Partizani nuk mund të bënte ndonjë zgjedhje tjetër, kur vendosi të largonte Starovën: do të vazhdonte Klevis Dalipi, zgjedhje e detyruar, edhe për faktin se asnjë trajner i nivelit të lartë nuk e merr Partizanin në këtë moment, në atë gjendje që është. Trajnerë shqiptarë pa ekip janë pak dhe askush nuk bind, përveç Armando Cungut, por shkodrani nuk merr përsipër baste kaq të çmendura, sepse të marrësh Partizanin në këtë moment është si të luash me zjarrin, sidomos nëse je shqiptar dhe e di si funksionon.
Një zgjidhje mund të jetë afrimi i një trajneri të huaj, por me dy muaj të mbetur nga fundi i sezonit, askush nuk është i gatshëm të rrezikojë dhe as vetë Partizani nuk ka guxim të afrojë dikë që nuk njeh gjuhën, mentalitetin dhe ekipin. Dalipi mbetet zgjidhja e vetme, por deri në maj, në rastin më të mirë. Më pas, do të afrohet trajner i huaj, ndoshta nga Kroacia, për të afruar dikë që e njeh mirë Ballkanin dhe vjen nga një shkollë e madhe futbolli.
Bisedime ka pasur edhe më herët, por Partizani kur e ka parë veten ngushtë është përplasur te Starova. Prej sezonit të ri do të niset epokë ndryshe, me trajner të huaj, por jo italian pa eksperiencë si Juliano. Gjithnjë nëse Dalipi nuk rezulton magjistar dhe fiton thuajse çdo ndeshje deri në fund…