Trajneri kroat ndjek ndeshjen në tribunën e “Selman Stërmasit”. Nuk pranon të flasë, por merr këshilla nga tekniku i Kukësit
Eraldo Harlicaj
“Klubi mund ta ketë një plan B, apo gazetarët, por unë ndjej besimin e klubit. Tokiç? Ndoshta ka qenë për punën e tij, nuk e di”, – u shpreh trajneri Dalipi kur u pyet në lidhje me trajnerin kroat. Në fakt, elbasanasi e ka të qartë dhe është i sinqertë në një pikë: kroati ka qenë për punët e tij, por duket se punët i ka të lidhura ngushtë me skuadrën e kuqe. Ai nuk fitoi për asnjë moment vëmendjen e tifozëve, por gazetarët kishin hapur sytë 4 për ta parë trajnerin e ri të Partizanit. Tokiç ishte aty, ashtu siç u paralajmërua nga “Sport Ekspres”. I vendosur në mes të tribunës A1 dhe A2 së bashku me menaxherin Mario Cenolli, nga ku panë ndeshjen e Partizanit. Sigurisht, nuk mund të ishte i kënaqur me kushtet e stadiumit të Tiranës, e as me tapetin e tij, pasi një person që ka luajtur me Kombëtaren e Kroacisë dhe me klube me emër ka parë shumë më shumë se aq. Megjithatë, tekniku ishte i qetë, pasi për fatin e tij të mirë nuk njihej nga tifozët dhe mund të shihte i qetë takimin. Mund të themi se tekniku kroat mbajti dhe shënime për futbollistët që pa në fushën e lojës. Ekipin do ta ndërtojë ai, prandaj duhet të njohë sa më shpejt futbollistët e tij.
BISEDA – Në pushimin e ndeshjes ishte i vetmi moment që mund të bisedoje me trajnerin e ri të Partizanit. I shoqëruar me menaxherin Cenolli, Tokiç ishte i qetë. Në momentin që përshëndeteshe me te, të jepte një të buzëqeshur të lehtë dhe gishtin tregues e kishte nga menaxheri Cenolli. Nuk donte të fliste, por dukej mjaft i qeshur dhe i çiltër. Mosha e tij është e re, vetëm 42-vjeç, po aq sa trajneri Dalipi. Nuk ka një CV të mbushur, pasi ka drejtuar vetëm ekipin Lokomotivës së Zagrebit, por duket me dëshirën e mirë për të punuar dhe pritet të konfirmohet shpejt nga klubi i kuq.
TOKIÇ – PAKULT – Në ndeshjen e djeshme ishin të pranishëm shumë personalitete të futbollit shqiptar. Trajnerë dhe lojtarë, pasi është një vitrinë e mirë për të gjithë. Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ishte i pranishëm në sfidën e djeshme, pasi donte të vëzhgonte kundërshtarin e radhës. Kukësi luan me Skënderbeun këtë fundjavë. Në fund të ndeshjes, numri një i Kukësit pati një takim të përzemërt me trajnerin e ri të Partizanit, Mario Tokiç.
Të dy biseduan me njëri-tjetrin për më shumë se 15 minuta. Para sheshit të stadiumit “Selman Stërmasi”. Ku i dihet, ndoshta kroati ka marrë mësimet e para nga trajneri austriak. Të dy janë të rinj në Shqipëri dhe kanë shumë për të mësuar. Tokiç dhe Pakult janë njohje të vjetra, pasi kanë qenë kundërshtar në Kroaci. Kroati drejtonte ekipin e Lokomotivës së Zagrebit, ndërsa austriaku me ekipin e Cibalias.