Dalipi: Ende në garë për Europën, lojtarët të mos merren me arbitrat

0

Zëvendëstrajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, vijon të zëvendësojë trajnerin Sulejman Starova, pasi ky i fundit është i pezulluar. Sot Dalipi ka dalë para gazetarëve, duke folur për ndeshjen delikate në Korçë, nesër në mbrëmje (17.00).

Skënderbeu, sfidë ndryshe nga të tjerat: “Ndeshje shumë e rëndësishme, që nuk ka nevojë për motivim, sepse çdo lojtar i pret me padurim ndeshje të tilla. Skënderbeu ka në përbërje lojtarë me cilësi të mira, por duhet të shfrytëzojmë në maksimum momentet e mira që do të kemi gjatë ndeshjes, duke shpresuar që të përsëritim ndeshjet e mira që kemi luajtur zakonisht në Korçë”.

Problemet me arbitrat? “Kemi kërkuar nga lojtarët që të mendojnë vetëm për ndeshjen, jo për arbitrat. Nuk i edukojmë lojtarët që të merren me arbitrat, ka të tjerë njerëz në klub që merren me këto çështje”.

Bakaj dy ndeshje pezullim, sa Batha dhe Trashi? “Nuk dua të merrem me këto gjëra. Jam i lodhur, edhe unë, edhe klubi, duhet të fokusohemi te fusha dhe te futbolli i luajtur. Këto tema nuk i shërbejnë futbollit të luajtur”.

Mungesat e Skënderbeut? “Sot mësoj që do të mungojnë Jashanica dhe Lilaj, por ata kanë lojtarë të mirë në përbërje, ndaj duhet të bëjmë paraqitje sa më dinjitoze dhe të tregohemi inteligjentë gjatë ndeshjes. Kthimi i Bathës dhe Trashit na ndihmon shumë, sepse janë lojtarë me eksperiencë dhe dinë t’i menaxhojnë ndeshjet, po të ishin ndaj Kukësit do e kishim menaxhuar më mirë avantazhin, edhe me një lojtar më pak”.

Shënuan Fili e Vila javën e shkuar: “Na vjen mirë që ata kanë shënuar, por edhe tek ne shënonin, ndaj kanë shkuar aty ku janë, që të japin më të mirën e vet”.

Kupat e Europës, sa shanse ka Partizani? “Pikët janë aty, matematika na lejon të shpresojmë dhe do të luftojmë deri në fund. E nisëm keq sezonin, kemi pasur përmirësim dhe do të luftojmë për t’u afruar me vendet e para, duke shpresuar që të vazhdojmë të përmirësohemi edhe para porte. Kemi besim te lojtarët që kemi, Bardhi ka luajtur si sulmues dhe nuk ka pasur shumë fat për të gjetur golin, por shpresojmë të shënojë në Korçë”.

Çështja mes Skënderbeut e UEFA-s: “Dënimi i Skënderbeut nuk i shërben fare futbollit shqiptar, por ne duhet të përqendrohemi te futbolli i luajtur, është një ndeshje shumë e vështirë dhe e rëndësishme për ne. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një deri në fund”.

Sulmi ndaj Gjokës: “Jam i befasuar, e njoh mirë ambientin në Shkodër, sepse kam luajtur si futbollist dhe ia kam kaluar shumë mirë. Nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla, për më tepër me njerëz që i kanë kushtuar jetën futbollit dhe janë të përkushtuar për ta ndihmuar atë qytet, siç është Ernest Gjoka. Më vjen shumë keq për atë ngjarje, por nuk mund ta prishë imazhin e Vllaznisë dhe Shkodrës një individ, sepse e njohim traditëm e atij klubi. Uroj të mos përsëriten më ngjarje të tilla”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.