Afrikani fillimisht u refuzua nga Skënderbeu. Menaxherja Peruci e mbylli me presidentin Demi për 6000€ në muaj. Moxhi dhe Juliano nuk e deshën, pasi morën Çanin. Korçarët bënë prapakthehu…
Protagonisti i javës që lamë pas ka qenë sulmuesi i Skënderbeut Ali Soue. Afrikani ka arritur të fitojë zemrën e tifozerisë korçare, por edhe vlerësimin e opinionit publik, aq sa paraqitjet e tij të mirë i kanë vënë nofkën “kafshë”. Të shtunën luajti përballë Partizanit, ndërsa vraponte dhe shënonte si “ujk”, por shumë mirë mund të qëndronte në anën tjetër të fushës. Madje, nëse Moxhi do të kishte dhënë “ok” gjithçka do të ishte e kryer, por nuk është vetëm kaq, pasi Soue ka qenë i refuzuari edhe i Skënderbeut. Burime të sigurta pranë lojtarit bëjnë me dije se ai fillimisht u refuzua nga trajneri Ilir Daja, e më pas edhe nga drejtuesit e kuq, për t’u rikthyer përsëri te korçarët.
REFUZIMI I DAJËS – “Sport Ekspres” mëson ekskluzivisht nga burime të afërta me menaxheren e sulmuesit, Miriam Peruci, se fillimisht futbollisti iu propozua Skënderbeut. Një takim i përfaqësuesve të Kievos, menaxheres në fjalë dhe teknikut Daja nuk rezultoi pozitiv. Numri një i stolit nuk ishte i bindur për aftësitë e futbollistit nga Gambia. Ai e refuzoi fillimisht 23-vjeçarin. Kjo bëri që lojtari të largohej nga orbita e Skënderbeut dhe t’i propozohej Partizanit.
PARTIZANI – MOXHI – Menaxherja Peruci e propozoi klientin e tij edhe te presidenti i Partizanit Gaz Demi. Sulmuesi shihej si “sozia” e Ekubanit dhe numri një i klubit ra dakord. Paga e tij ishte 6 mijë euro dhe të kuqtë nuk e kishin problem. Ama, nuk ishte vetëm fjala e presidentit Demi, pasi ai ia la në dorë vendimmarrjen trajnerit Mark Juliano, por sigurisht edhe Drejtorit të Përgjithshëm Luçiano Moxhi. Ky i fundit nuk dha miratimin e tij për Souen, pasi kishte vendosur të afronte sulmuesin Edgar Çani. Refuzimi i Soues bëri që të largohej përfundimisht edhe pista e Partizanit, që nuk vonoi të publikonte arritjen e marrëveshjes me Çanin. E këtu doli në skenë përsëri Skënderbeu.
SKËNDERBEU – Korçarët duke parë që nuk po gjenin dhe nuk po arrinin marrëveshjen me sulmuesit e dëshiruar iu rikthyen pistës së Soues. Presidenti Takaj vendosi të investonte te ai dhe pranoi kushtet e afrikanit, 6 mijë euro në muaj. Tani të gjithë janë të lumtur në kampin e skuadrës korçare, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Partizanin. Mbase presidenti Demi pas shënimit të golit ka parë në sy Moxhin, atje në tribunë dhe ka menduar me vete se kur do të vijnë golat e Partizanit.