Për ndeshjen e së shtunës me Luftëtarin do të ketë lëvizje në formacionin e Skënderbeut, në mbrojtje dhe në sulm. Kosovari është risia
Leonard Trebicka
Ajo që quhet rotacion, edhe pse nuk bëhet fjalë për shumë ndryshime, ka nisur të zbatohet te Skënderbeu. Për ndeshjen e së shtunës me Luftëtarin trajneri Ilir Daja ka menduar të bëjë disa ndryshime në formacion, por jo shumë. Dje ai pak a shumë e ka zbuluar 11-shin fillestar të ndeshjes së nesërme me gjirokastritët. E ka thënë edhe një intervistë të fundit për “Sport Ekspres” se do të çlodhë disa titullarë dhe kjo pritet të ndodhë nesër, kur Radas dhe Jashanica do të jenë në stol. Në qendër të mbrojtjes do të luajnë Aliti dhe Osmani, ndërkohë që Vangjeli dhe Mici do ta nisin sërish nga minuta e parë.
Ndryshime do të ketë edhe në mesfushë. Bruno Dita dhe Suad Sahiti janë dy lojtarë, të cilët nuk ia kanë dalë të rikuperohen në kohë dhe do të mungojnë për këtë takim. Skënderbeu do të luhet sërish me skemën 4-3-3 dhe Lilaj e Muzaka janë të sigurt në qendër të mesfushës. Vendin e tretë do ta marrë në këtë ndeshje Donjet Shkodra, mesfushori që nuk ka pasur shumë minuta deri tani. Konkretisht, kosovari ka luajtur 222 minuta në Superligë dhe ka shënuar edhe një gol, atë ndaj Kamzës. Një shans i mirë për Shkodrën, i cili është një lojtar me kualitet. Për sulmin duket se nuk do të ketë asnjë ndryshim nga ndeshja e fundit me Teutën. Afrim Taku do të luajë në të djathtë dhe nigeriani Xhejms Adeni në krahun tjetër. Në majë do të jetë sërish Ali Soue. Ndoshta ky i fundit ka nevojë të çlodhet, pasi është aktivizuar në çdo ndeshje, por për momentin qendërsulmuesi tjetër, ceku Nespor, nuk është 100% gati. Ky është formacioni i Skënderbeut për ndeshjen e nesërme ndaj Luftëtarit, një formacion tërësisht sulmues, çka ë tregon qartë se korçarët do të kërkojnë vetëm fitoren në fushën e tyre.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut, 4-3-3
Shehi – Vangjeli, Osmani, Aliti, Mici – Muzaka, Lilaj, Shkodra – Taku, Soue, Xhejms