Ilir Daja beson se skuadra e tij është gati për ndeshjen me Partizanin. Në konferencën e zakonshme për shtyp, numri një i stolit vlonjat foli për takimin me “demat”, por dhe për situatën në skuadrë. Daja nuk kishte si të anashkalonte dhe një koment për brazilianin Kale, që u bashkua me skuadrën zyrtarisht para pak ditësh.
“Kane qene dy javë të mjaftueshme, por natyrshëm dimë edhe faktin se nesër kemi një përballje me Partizanin që kryeson deri në këtë javë të 4-të. Është një skuadër që ka treguar stabilitet si në rezultate ashtu dhe në lojë. Do të jetë një takim i vështirë, por siç kërkon Partizani të arrijë objektivat e tij dhe ne kemi objektivat tona. Duhet që nesër të kemi një qëndrueshmëri sa më të madhe taktike, por dhe psikologjike, që të shkojmë drejt marrjes së një fitoreje, pasi luajmë para tifozerisë tonë”.
“Për të qenë i sinqertë na mungon Alvesh dhe Siljanovski. Ky i fundit ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm pasi ka luajtur në 13 ndeshje. Jemi mësuar me mungesat. Kemi përdorur të gjithë kontingjentin për të plotësuar mungesat. Nuk kemi akoma një lojtar për ta dubluar Siljanovskin, por ekipi ka treguar se dhe me mungesat e tjera jemi paraqitur mirë. Në javën e fundit, ndaj Skënderbeut treguam se nuk ishim inferior në fushën e lojës, që na rrit nga ana psikologjike. Duhet të vazhdojmë edhe me Partizanin që të bëjmë të njëjtën performancë, por duke pasur prioritet rezultatin”.
“Luhet java e 14-të dhe Kalen do e quaja si një blerje të janarit, pasi edhe 4 ndeshje do të luajë për të mbyllur pjesën e parë. Na vjen mirë që na bashkohet një lojtar që ka eksperiencë në kampionatin shqiptar, përveç vlerave individuale. Ka shumë muaj që nuk luan dhe mbetet për t’u parë nesër më se do të luajë apo jo”.
“Jemi të bindur se tifozët janë një vlerë e shtuar për motivimin e lojtarëve, si kur luajmë në transfertë jo më në shtëpi. Duhet ta menaxhojmë në një formë më të mirë. Pasi kur kemi pasur mbështetje të madhe ekipi ka qenë në trysni psikologjike, për t’i përcjellë atë lloj pritshmërie që kanë. Ardhja e tyre është një motiv i madh për ne, pasi ndeshja luhet për tifozët”.