Trajneri i korçarëve është në vështirësi, sepse nuk ka sot asnjë sulmues, por shpreson që skuadra e tij të bëjë lojën e saj të zakonshme
Në sallën e konferencave për shtyp, trajneri Ilir Daja është shfaqur bashkë me mesfushorin Sabien Lilaj, por interesimi i medieve sportive në Zvicër ka qenë jashtëzakonisht i ulët. Në këtë konferencë ka qenë vetëm moderatorja e TVSH-së, Hygerta Sako, ajo që u ka bërë pyetje dy pjesëtarëve të Skënderbeut. Trajneri Daja theksoi mes të tjerash se Skënderbeu do të përpiqet ta mbyllë ashtu siç e nisi aventurën europiane.
INTERESIMI Interesimi do të ishte më i madh, nëse dy skuadrat do të kishin objektiv konkret. Nga vetë pozicioni i tyre aktualisht në grip, pra është një ndeshje që nuk ka rëndësi për klasifikimin, ka edhe mungesë të medies në këtë konferencë shtypi. Ndoshta edhe mediet janë lodhur nga ndeshjet e shumta, por dua të falënderoj dy mediet kryesore për sportin.
MOTIVIMI Nuk kemi asnjë arsye pse të mos motivohemi 100%. Eshtë një punë e tërë, që duhet mbyllur në mënyrën e duhur, pavarësisht rezultateve që kemi arritur. Duhet të jemi të motivuar për të rifutur ekipin në atë rrjedhën që ka pasur. Është një ndeshje shumë e fortë. Duhet të jemi të përqendruar për ta mbyllur ashtu siç e kemi nisur aventurën tonë në Europë.
SHITJET Jam pjesë e rëndësishme e klubit dhe sigurisht që jap mendimin tim për lëvizjet që bëhen. Pavarësisht anës financiare, vakuumin që mund të në krijohet, na del për detyrë të mbushim dhe të kemi balancë. Duhet të shesim dhe duhet njëkohësisht të shikojmë për afrimet që na duhen të arrijmë objektivat. Do të doja që të ishin të gjithë lojtarët pjesë e Skënderbeut. Çdo i larguar, ikën për vlerat që mbart, kurse për ne është një minus. Personalisht, nuk do të doja të largohej asnjë lojtar, por klubi ka një filozofi, ku individit i bëhet mirë, por edhe arkëtimet nga klubi janë garanci për të ardhmen. Këtë Skënderbeu po e bën prej kohësh. Është një filozofi e drejtë. Duhet menduar edhe për arkëtimet”.
PENGU “Ndeshja në Beograd është një peng. Nuk meritonim fitoren, por as humbjen. Po ashtu, edhe dy ndeshjet në shtëpi me Jang Bojs dhe Partizanin, ku Gavazaj dhe Radas na dolën të dëmtuar që në fillim, më kanë lënë shije jo të mirë. Do të bënim më mirë në këto dy ndeshje, por nuk kam çfarë kërkoj nga ekipi, pasi kemi bërë mirë.
KAMPIONATI Kampionati nuk është i mbyllur. Është gabim të mendojmë kështu. Thjesht ne kemi qetësi, kurse rivalët kanë presion. Do të përpiqemi të ruajmë këtë ritëm. Nuk kemi humbje, por më kënaq fakti që karshi çdo kundërshtari kemi diktuar në lojë. Nëse duam të ecim përpara, në ato gjëra që nuk kanë qenë pozitive, duhet të vazhdojmë me të njëjtin motivim. Kemi vetëm veten rival, pasi ata që e kanë nisur kampionatin si rivalë, janë me diferencë nga ne. Të kemi kujdes nga vetëkënaqësia. Nuk ka ndeshje të lehta dhe duhet të jemi gjithmonë të motivuar.”
STOLI – Mendoj se bashkëpunimi është çelësi i suksesit. Element shumë i fortë i Skënderbeut është shpirti i skuadrës. Ka një kolektiv shumë të mirë, me mendësi fituesi. Stoli? Pavarësisht kualitetit që kanë lojtarët e Skënderbeut, të gjithë duhet ta marrin me forcë fanellën e titullarit. Kështu do të rritim konkurrencën. Do ta kemi më të lehtë për të zëvendësuar çdo lojtar, – ka theksuar mes të tjerash trajneri Daja.