Korçarët kanë mbyllur dje përgatitjet anti-Kairat me një seancë të zhvilluar në ambientet e stadiumit, në orën 18:00. Trajnerit Daja i duhej që për 60 minuta të mbyllte përgatitjet dhe seanca nuk ka pasur shumë ngarkesë, pasi ia më shumë ka praktikuar goditjet standarde dhe në fund pak lojë. Goditjet standarde kanë qenë në fokus, ku janë provuar gjuajtjet nga distanca dhe ato nga këndi, duke përcaktuar edhe lojtarët, të cilët do t’i ekzekutojnë ato. Në stadium në këto momente nuk kishte asnjë tifoz, madje edhe Kairati nuk kishte mbërritur, ndaj dhe trajneri Daja ka punuar lirshëm. Në 10 minutat e fundit të seancës së fundit skuadra korçare ka zhvilluar një minindeshje në gjysmën e fushës, ku stafi teknik ka rreshtuar formacionin përballë 11 të tjerëve, duke aplikuar edhe disa skema. Më pas, ekipi është grumbulluar në hotel “George”. Korçarët kanë mbyllur përgatitjet e tyre, ndërkohë që për t’u veçuar është fakti se në hollin e stadiumit ka qenë trajneri i Kairatit, i cili ka vrapuar për t’i dhënë dorën homologut të tij Daja dhe diçka i ka thënë, duke qeshur, por në rusisht.
Stadiumi plot, luhet në kushte optimale
Skënderbeu-Kairat do të luhet sot në mbrëmje, në kushte të shkëlqyera klimaterike. Sipas parashikimeve, në orën 20:00, kur nis ndesha, temperaturat në qytetin juglindor do të jenë super, 22 gradë, ndërsa në fundin e ndeshjes do të shkojnë deri në 20 gradë. Gjithçka është perfekte dhe nuk do të ketë reshje shiu, duke e bërë edhe më të bukur këtë përballje. Një gjë e tillë ka bërë që tifozët korçarë të “vrapojnë” dhe të sigurojnë sa më parë një biletë për të qenë sot në stadium. Sot pritet të shiten të gjitha biletat. Kapaciteti i stadiumit “Skënderbeu” është 6 mijë vende dhe deri dje ishin shitur 3.200 bileta, siç ka konfirmuar edhe kompania, që merret me shitjen e biletave. Pritet që sot, gjatë gjithë ditës, shitjet të shtohen dhe në orën 20:00 të mos ketë asnjë vend bosh në stadiumin “Skënderbeu”.
Skënderbeu – Kairat Almati
Sot, ora 20:00, stadiumi “Skënderbeu”
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut, 4-1-4-1
Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Osmani – Taku, Lilaj, Nimaga, Latifi – Xhejms
Formacioni i mundshëm i Kairatit, 4-2-3-1
Pokatilov – Ahmetov Boto Elek Suiumbajev – Kuat, Bakajev – Isael, Iliçeviç, Arshavin – Gohu
Gjyqtarë: Jens Mae, Henrik Larsen, Elvis Boriç (Danimarkë)