Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka dalë sot para gazetarëve për konferencën për shtyp në prag të supersfidës kundër Partizanit. Një ndeshje me rëndësi të veçantë, pasi vjen në një moment delikat për të dy klubet: Skënderbeu është i stresuar nga dënimi që kërkon UEFA, Partizani nga rezultatet e dobëta.
“Ndeshja me Partizanin është e vështirë, sepse këto përballje gjithmonë kanë qenë të dyluftuara. Nuk nisemi nga fakti se Partizani vjen nga një humbje, sepse në atë ndeshje kishte shumë mungesa. Po ashtu, nuk nisemi nga pozicioni në renditje. Fakti që nuk e kemi të gjithë kontingjentin e lojtarëve në kondicionin e duhur e rrit koeficientin e vështirësisë”, u shpreh Daja, i cili e pranon se formacioni është ende në “ajër”.
“Kemi në gjendje gripale disa lojtarë, ku Lilaj, Vila dhe Muzaka janë ende duke u trajtuar me mjekim. Duke shtuar edhe mungesën e Jashanicës, bëhen shumë dhe duhet ta përballojmë ndeshjen me pjesën tjetër. Të gjithë ata që do të hidhen nesër në fushë, do të japin maksimumin që të shkojmë drejt objektivit të fitores”.
Dënimi i mundshëm? “Nuk mund të jesh i qetë në një situatë të tillë, por duhet të ruajmë qetësinë për të pritur vendimin e UEFA-s, sepse deri tani është vetëm një kërkesë nga përfaqësuesit e UEFA-s, që monitorojnë kompanitë e basteve. Shpresoj të jetë një vendim i drejtë. Për ta trajtuar çështjen ashtu siç duhet, duhet parë jo vetëm ajo çfarë kanë kërkuar ata, por edhe çfarë ka brenda dosja. Ka një vakuum të madh dhe keqorientim në këtë çështje. Për ta vënë publikun në një ballafaqim korrekt, nuk duhet të marrim çfarë ka dosja në raport me Skënderbeu, pasi ka edhe pjesë që ekipi ynë nuk ka pse të përflitet fare. Të them të drejtën, mendoja se mund të kishte ndikim më të madh te futbollistët kjo çështje, sepse presim një vendim që ndikon në të ardhmen e Skënderbeut dhe jo vetëm, por ata kanë mentalitet fituesi. Nuk më është dashur shumë për t’i motivuar. Të gjithë bashkë jemi orientuar për të vazhduar në këtë rrugëtim për të shkuar te titulli dhe pse jo dhe Kupa e Shqipërisë”.
Sulmi ndaj Ernest Gjokës, një koment edhe nga Daja: “Po më vini ju në dijeni dhe është tmerrësisht e paimagjinueshme të sulmohet institucioni i trajnerit. Uroj të jetë sa më pak i lënduar kolegu Gjoka dhe shpresoj te puna e policisë në kapjen e këtyre kriminelëve që kanë guximin të godasin institucionin e trajnerit”.