Daja: Jo perfektë, por sot mjaftonte 3-pikëshi!

Fitorja të ndihmon të fitosh… Kështu, Skënderbeu e ka nisur me 3 pikë dhe Ilir Daja nuk mund të mos jetë i kënaqur, sidomos sepse përballë kishte Flamurtarin: “E kemi nisur mbarë, kemi marrë 3 pikë shumë të rëndësishme. Flamurtari luajti mirë në pjesën e parë dhe na vuri në vështirësi në momente të veçanta. Nuk është se ishim perfektë, por jam i kënaqur që morëm fitoren, sepse kampionati është shumë i rëndësishëm për ne. Kemi shkuar në grupet e Europa League, por tashmë është e qartë që duhet të mendojmë shumë për kampionatin, që është prioritet”, tha trajneri për “Gol pas Goli”, ndërsa vijoi mbi ndeshjen: “E nisëm shumë mirë, shënuam gol, por më pas loja u ekuilibrua. Në pjesën e dytë u përmirësuam dhe nuk i lamë shumë hapësira kundërshtarit. Fituam, edhe pse nuk ishim shumë mirë.

Ka entuziazëm në skuadër, po nuk besoj se është eufori. Jemi me këmbë në tokë, me entuziazëm normal, por është e qartë që skuadra ka edhe probleme në momente të caktuara. Kemi pasur luhatje herë pas here, ndaj edhe kemi bërë ndryshime gjatë ndeshjes, në modulin e lojës.

Europa League – “Dinamo e Kievit në stadium për të vëzhguar ndeshjen? Nuk kanë lidhje dy ndeshjet, mes Flamurtarit dhe kundër Dinamos. Sot luanim për fitore, kundër një rivali që nuk e njihnim për shkak se e ka rindërtuar skuadrën, ndërsa kundër Dinamos është një ndeshje krejt tjetër, kundër një prej ekipeve më të forta të grupit, ndaj si në vendosje, ashtu edhe në manovër, do të jetë një ndeshje krejt ndryshe”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *