Trajneri i Skënderbeut largon presionin: Përparësia jonë është kampionati, por në çdo ndeshje duam më të mirën. Zviceranët kanë ekuilibër, më ngjajnë me Maldën
Leonard Trebicka
Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka dalë bashkë me mbrojtësin Kristi Vangjeli. Si gjithmonë, trajneri i korçarëve është treguar i matur në deklaratat e tij dhe aspak euforik. Elbasani i ka sjellë fat, madje shumë fat gjatë kësaj vere dhe numri 1 i stolit të Skënderbeut shpreson shumë në një tjetër mbrëmje të madhe në stadiumin e këtij qytetit. Daja ka vlerësuar kundërshtarin, gjë që e ka bërë të ditur edhe para lojtarëve të tij. Megjithatë, ai ka besim se ekipi është në gjendje të dhurojë të tjera emocione.
ROTACIONI – ”Do të kemi mungesa në ndeshjen e nesërme (sotme), ndërkohë që objektivi ynë kryesor është titulli kampion, kështu që do të ketë ndryshime në formacion. Na mungojnë Radas dhe Osmani. Do të përpiqemi të japim maksimumin dhe pavarësisht vështirësive, jemi gati të japim më të mirën në fushën e lojës. Patjetër që synimi ynë është të marrim rezultat pozitiv ndaj skuadrës zvicerane të Jang Bojs, që e kemi ndjekur, por një skuadër ndryshon edhe brenda një ndeshjeje modulin e lojës. Kundërshtari mendoj se ka ekuilibër. Lojtarët e tij janë të fortë në dyluftime dhe kanë një bagazh të lartë teknik. E përsëris, parësor është kampionati, por do të përpiqemi për rezultat me anë të një loje sa më të mirë”, – theksoi fillimisht trajneri i Skënderbeut.
PRETENDIMET – ”Kemi pretendimet tona në këtë ndeshje. Nëse duam të bëjmë një hap përpara në lidhje me vendin e dytë në grup, duhet të fitojmë dhe më pas të shpresojmë për të realizuar një ëndërr, kalimin e grupit. Por le të qëndrojmë me “këmbë në tokë”, sepse Skënderbeu, në fund të fundit, e ka realizuar objektivin e tij. Kuptohet që pritshmëritë janë gjithmonë në rritje dhe do të bëjmë gjithçka për të shkuar sa më larg. Jang Bojs është një kundërshtar pak a shumë si Mlada Boleslav, që e eliminuam me shumë vështirësi”, – ka shtuar trajneri Daja.
KAMPIONATI – Gjatë konferencës së djeshme për shtyp trajneri i Skënderbeut është pyetur edhe për ndeshjen e ardhës në kampionat me Kukësin në transfertë. Përgjigja e trajneri Daja ishte kjo: “Do të preferoja të fitonim si ndaj Jang Bojs, ashtu edhe me Kukësin të hënën, por bëhet fjalë dy kompeticone të ndryshme. Duam të japim më të mirën në çdo ndeshje dhe në çdo kompeticion”.