Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka komentuar i qetë barazimin kundëer Partizanit, duke e quajtur rezultat të drejtë. Në mikrofonin e RTSH-së, Daja foli për ndeshjen e sotme, momentin e Partizanit, ndeshjen e kupës të mërkurën, por edhe Kukësin në fundjavë.
Barazimi – “Nuk hymë për barazim në fushë, edhe pse barazimi është rezultat i mirë, duke pasur parasysh që vinim nga një ndeshje e lodhshme kundër Dinamos së Kievit. Më pëlqen fakti që skuadra ruajti ekuilibrat deri në fund dhe në 30 minutat e fundit ishte superiore. Jam i kënaqur që janë kthyer në formë të plotë Jashanica e Vangjerli, që kanë qenë të dëmtuar. Na prishi punë mungesa e Vangjelit, lojtar me grinte dhe eksperiencë. Duke parë si shkoi ndeshja, rezultati më i drejtë ishte barazimi, por të dominosh pas minutës së 60-të do të thotë të jesh mirë.
Starti i ngadaltë – “Ishte nisja e takimit që ndikoi, sepse lojtarët e ndjenë lodhjen, por mendërisht skuadra është në formë perfekte dhe me kalimin e minutave lojtarët dolën në lojën e vet. Jemi duka luajtur një sezon me intensitet shumë të lartë dhe nuk kemi mundësi që të bëjmë edhe rotacionin e duhur, duke parë dëmtimet, ndaj lodhja ka ndikim, por nga ana tjetër skuadra ka një ritëm tjetër dhe është në formë perfekte mendore, pasi luan me rivalë me emër në Europa League.
Nespor – “Nuk është se ka qenë pjesë e Skënderbeut, për shkak të dëmtimeve. Soue ka mbajtur një peshë të jashtëzakonshme të sulmit dhe do të na shërbente shumë një alternativë cilësore, që Soue të merrte minuta pushim.
Kupa – “Ditën e mërkurë luajmë kundër Besëlidhjes në kupë dhe do të përdorim lojtarë që kanë pasur pak minuta, apo lojtarë si Nimaga e Jashanica, që kanë nevojë të luajnë për të kapur maksimumin. Pjesa tjetër e skuadrës do të ruhet për Kukësin, që është një ndeshje vendimtare, sepse fitorja vlen jo vetëm 3 pikë, por edhe një bonus psikologjik mjaft të mirë.
Partizani – “Uroj që të ndryshojë, sepse nëse Partizani është në pjesën e sipërme të renditjes, edhe kampionati bëhet më i bukur. Sot terreni ishte shumë i butë nga shirat dhe skuadrat u lodhën. Ne jemi mësuar në fushën në Korçë, që është në kushte perfekte. Nuk është justifikim, por Partizani ka pasur më shumë kohë që të përgatitet dhe stërvitet. Gjithsesi, uroj që Partizani të ringrihet, ashtu si Tirana, që është një vlerë e shtuar e Superiores. Është ende herët për të folur, Partizani është në rritje dhe sot ishte më agresiv, ndaj duhen parë gjërat në vazhdimësi”.