Çyrbja te Kukësi, Teuta shpreson te rishitja

 

Askush nuk e priste, por Kukësi dhe presidenti Safet Gjici e kanë marrë shumë seriozisht. Klubi verilindor po shfrytëzon mjaft mirë rënien e skuadrës së Skënderbeut për të ndërtuar një “perandori” të re në Shqipëri. Nuk ka moment më të mirë se ky, pasi nënkampionët do të marrin pjesë në Champions League, kanë një kundërshtar të kalueshëm siç është Valeta dhe në kampionat po shohin një stepje të Partizanit dhe Flamurtarit për të afruar futbollistë cilësorë. Kryeqytetasit dhe bregdetarët kanë ulur buxhetin, por nuk ndodh kështu me Kukësin. Afrime të rëndësishme dhe emra të mirë për Superioren, numri një i klubit e ka kuptuar filozofinë: duhet ekipi shumë i mirë, por dhe stoli i fortë për të konkurruar. Dje u bë zyrtare se skuadra kuksiane ka arritur të rrëmbejë Arbër Çyrbjen. Kapiteni i Teutës nuk është marrë me parametra zero, por Kukësi ka paguar për kartonin e tij duke blerë futbollistin nga ekipi durrsak.

ÇYRBJA – Afrimi i mesfushorit me tipare sulmuese konsiderohet një lëvizje krejtësisht e papritur, pasi futbollisti rinovoi me Teutën pak ditë më parë. Ai nënshkroi kontratën e re dhe u mendua se do të ishte në qendër të projektit të ri me trajnerin Bledi Shkëmbi. Megjithatë kur Kukësi të troket në derë minimalisht duhet ta dëgjosh, për Shqipërinë janë një fuqi ekonomike. Shitja e sulmuesit Sindrit Guri i ka fuqizuar shumë. Presidenti Safet Gjici dhe drejtori sportiv, Nderim Nexhipi nuk u morën me biseda të kota, 100 mijë euro për kartonin, 50 në dorë e 50 pas shitjes së mundshme, po apo jo? Oferta nuk mund të refuzohej nga klubi durrsak që e pranoi shitjen e kapitenit.

Çyrbja do të prezantohet shumë shpejt nga klubi verilindor, pasi do të niset drejt Sllovenisë për fazën përgatitore. Trajneri Peter Pacult është shumë i kënaqur me afrimet e fundit dhe kontingjentin që ka në dispozicion, pasi presidenti Gjici po ia ofron të gjitha kushtet numri një të stolit. Tani, ai pret vetëm kualifikimin në Champions League dhe arritjen e grupeve të Europa Leagues, pavarësisht se shpreson që të bëjë mrekullinë e mundshme kundër Karabagut. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë, të presim dhe të shohim.

Mesfushori i krahut të djathtë, që mund të luajë pa problem edhe në linjën e majtë ka grumbulluar 34 ndeshje nga 36 në total, të gjitha si titullar teksa ka shënuar edhe 7 gola. Me afrimin e tij Kukësi ka bërë një afrim të zgjuar, teksa më pas mund ta shesë lojtarin në një kampionat më të fortë jashtë vendit, ashtu siç veproi me Sindrit Gurin dhe Elis Bakajn gjatë këtij sezoni. Çyrbja është vetëm 24 vjeç dhe me këtë që ka treguar në edicionet e fundit me Teutën e pret një e ardhme e ndritur përpara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *