Kukësi do tre pikët me Teutën dhe trajneri Armando Cungu e thotë hapur diçka të tillë. “Fjala i druhemi Teutës nuk më pëlqen në fakt. Nuk kemi pse i druhemi asnjë skuadre. Janë një ekip që kanë ndryshuar shumë, nuk janë të vjetshmit. Ata janë më të organizuar dhe në këtë kuptim duhen respektuar. Por duhet të respektojmë veten më shumë, pasi futemi në çdo ndeshje për fitore. Edhe Teuta nuk bën përjashtim”, u shpreh fillimisht Cungu.
Në lidhje me mungesën e Rexhinaldos, shkodrani deklaroi: “Është lojtar shumë i rëndësishëm, por në mentalitetin tim një ekip nuk përbëhet nga një apo dy individëve. Nuk i zgjidhin ato hallet e ekipit. Në këto kushte besoj tek grupi. Do u japim mundësi lojtarëve të tjerë për të treguar vlerat dhe për të treguar se janë të denjë për objektivat e Kukësit”.
Armando Cungu e di se ekipi i tij ka ende për të bërë për të qenë në maksimum, por e pranon se ekipi i tij ka ndryshuar që kur ka marrë drejtimin e Kukësit. “E them me sinqeritet se ekipi ka ndryshuar për mirë që kur kam ardhur. Tani ekipi luan futboll, ka marrë një fizionomi, ka një fytyrë dhe një ide loje. Gjithsesi nuk mund të them se ky është maksimumi i Kukësit. Ka vend për përmirësime, jam i kënaqur me atë që djemtë po japin. Po bëjnë punë serioze dhe jam i bindur se do vijnë rezultatet”.
“Lojtarët e afruar? I kemi parë me Orikumin. E pame në Kupë lojtarin e Juventusit, do shohim mundësinë edhe në kampionat. Unë nuk mendoj nga ka ardhur, nga Juventusi apo nga Liverpuli, por nisem nga fakti se kush është i gatshëm për të kontribuar në momentin e caktuar. Luajnë ata që kanë gjendjen. Ndoshta nesër njëri prej tyre mund të luajë”.
MODULI – “Kemi bërë shumë ndryshime nga Kupat e Europës, gati çdo ndeshje kemi ndryshuar dhe skemën e lojës . Normalisht kemi nisur me 4-4-2 dhe më pas 4-3-3. Kukësi e ka luajtur prej kohësh këtë sistem dhe e ka në ADN-në e tij këtë stil loje. Ka pësuar dhe shumë ndryshime në organikë. Një pjesë duan ende kohë për t’u përshtatur. Nesër do të vendosim dhe për sistemin e lojës që do të përdorim”.
GRUPI – “Për Ethemin mund të flas fjalë shumë pozitive, pasi më dha sinjale shumë pozitive edhe në ndeshjen e Kupës ndaj Orikut. Normalisht, kur një lojtar jep shenja pozitive, e kemi ne si trajnerë për detyrë që t’i japim mundësinë në fushën e lojës. Më pas është aftësia e lojtarit për ta mbajtur fushën e lojës. Rikthimi i Shkodrës është një vlerë më tepër për ekipin, por është e nevojshme që të ketë dhe pak kohë për të arritur ritmin, pasi humbi disa javë. Shameti na shqetëson dhe nuk është e sigurt nëse do të jetë në fushën e lojës. Unë besoj tek grupi dhe tek çdo lojtar për të marrë më të mirën dhe atë rezultat që ne pretendojmë”.
MUNGESAT – “Është në disfavor, por mos mendoni se do të dorëzohemi. Kemi lojtarë të tjerë në dispozicion dhe natyrshëm edhe ata stërviten në të njëjtën mënyrë. Edhe ata do të kenë mundësitë e tyre dhe uroj që t’i shfrytëzojnë këto mundësi për mirë dhe të kontribuojnë me aftësitë e tyre”.
STADIUMI – “Nuk ka të bëjë shumë me të qenurit në qytetin tim të Shkodrës, unë jam i Kukësit, ose më saktë i ekipit të Kukësit. Të jem i sinqertë është një minus për çdo ekip në botë sado i fortë të jetë. Edhe Barcelona të mos luajë në “Camp Noë” nuk është pozitive për ta. Lojtarët njohin çdo centimetër të asaj fushe dhe kanë edhe ndihmën e publikut, i cili është mëse i domosdoshëm në një ndeshje futbolli. Pa tifozë është një lojë pa nerv dhe pa impuls. Lojtarët kanë nevojë që në momente të caktuara të marrin impulse nga publiku. Shkodra na solli fat, por është meritë e djemve dhe nuk i lanë gjë fatit në dorë”.
STATISTIKAT – “Nuk ka lidhje tradita fare. Është e njëjta pyetje si me Vlorën, por nuk do marrim të njëjtin rezultat si me Flamurtarin dhe ju siguroj për këtë. Nuk ka lidhje tradita, por nuk futet një skuadër në fushën e lojës, sa serioze është për të fituar. Sot mund të fitosh, nesër mund të barazosh dhe nëse nuk je serioz mund të të hapë punë dhe një ekip fëmijësh dhe jo më Teuta”.
PIKAT E FORTA TË TEUTËS – “Nuk ndalem tek individë të caktuar te Teuta, pasi duhet të ndalem edhe tek ata që kemi ne. Siç kanë pika të forta, kanë edhe të dobëta. Jemi munduar ta përgatitim këtë ndeshje. Djemtë e kanë idenë, i dinë ku i kanë pikat e dobëta dhe do mundohemi t’i godasim aty.
FINALIZIMI – “Nuk ishin rezultatet që priteshin në dy ndeshjet e para dhe u gozhduam. Në fakt Kukësi ka luajtur më mirë se Laçi dhe Flamurtari, shpërdoruam shumë raste. E kemi pësuar në goditjet standarde. Kemi bërë dhurata, jo se e kemi pësuar nga meritat e kundërshtarit. Po mundohemi të minimizojmë gabimet”.