Armando Cungu është i lirë dhe së shpejti pritet të rinisë punë, pas largimit nga Vllaznia pak javë më parë. Trajneri shkodran ka folur për gazetarët në Shkodër, duke sqaruar se nuk është e vërtetë se ka marrë ofertë nga Kukësi, por shton se ka disa oferta në tryezë: “Mund të konfirmoj se nuk kam kontakte me drejtuesit e Kukësit. Se nga kanë dalë këto fjalë, nuk e di. Unë në fakt kam pasur ofertë nga një tjetër klub i Superiores, që pret një përgjigje nga ana ime këto ditë. Po ashtu, kam pasur oferta edhe nga ekipe kosovare, megjithatë për momentin jam duke pushuar dhe mbase pas njëfarë periudhe mund të marr vendim në lidhje me këto oferta”.
Me shumë gjasa, Cungu do të vendosë deri në fund të vitit, për të punuar më pas në janar qetësisht në ekipin e ri, por natyrisht i duhet një projekt serioz dhe jo presion maksimal si në Shkodër.