Cungu i kënaqet lojës, por: Klubi të zgjidhë problemet financiare!

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka mbetur i kënaqur nga barazimi në Gjirokastër, por vetëm për faktin se shkodranët vinin nga një humbje kundër Vllaznisë dhe u duhej pak qetësi. Pengu i Cungut janë rastet e humbura, por ndërkohë trajneri shkodran i dërgon një mesazh të fortë klubit për zgjidhjen e problemeve financiare.

“Barazim me vlerë, pa lojë bindëse, por nuk e quaja lojë kaotike. Pas një disfate në shtëpi, nuk është një moment i mirë as për skuadrën e as për tifozët. Atmosfera bëhet e zbehtë dhe është fillimi i sezonit, ku ende nuk është arritur maksimumi. Kundër Teutës pësuam një humbje të pafat, sepse mund të merrnim më shumë, ndaj sot ishim nën presionin e rezultatit dhe nëse nuk mund të merrnim tripikëshin, të paktën të mos lëshonim pikën.

“Rastet? Peshojnë shumë, gabuam raste të shkëlqyera para porte dhe një pikë ka ndryshim të madh nga tre pikë. Rasti i Ribajt ishte rasti më flagrant për të shënuar, por këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Jam i kënaqur nga loja e skuadrës, kishim rrjedhshmëri dhe koncept në lojë, krijuam raste edhe në pjesën e dytë, ndaj më vjen keq që nuk morëm tre pikët.

“I kënaqur nga fillimi i sezonit? Nuk mund të jesh kurrë i kënaqur, edhe kur fiton çdo ndeshje, sepse ka gjithmonë dobësi për të rregulluar. Kemi fituar një ndeshje dhe na ka mundur një rival direkt si Teuta. Kemi shumë punë përpara, skuadra është e re dhe ka nevojë për kohë, sepse nuk jemi harmonizuar ende si duhet. Kemi marrë 4 pikë në 3 ndeshje, personalisht nuk jam i kënaqur.

“A është ekipi i kompletuar? Jo, nuk është ekipi që dëshiroja, kishim të tjera kërkesa e dëshira, por nuk u plotësuan, jo vetëm për faj të Vllaznisë apo financave, sepse çdo futbollist i pjacës kërkon të luajë me klube elite si në aspektin sportiv, edhe atë financiar, ndaj nuk është e lehtë të gjejmë lojtarët e duhur. Në verë ikën 12 lojtarë dhe erdhën 6, ndaj duket qartë që nuk u kompletuam dot. Ka shumë probleme, tani ka vonesa në lëvrimin e fondeve dhe ka qenë vonesë shumë e gjatë, si asnjëherë më parë, ndaj shpresoj që të zhbllokohet gjithçka, pasi jemi shumë vonë dhe skuadra ka nevojë për qetësi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *