Cungu flet hapur për largimin e Egbos nga Tirana: Çfarë të them? Prit hurin pas koke kur mendon se…

Armando Cungu ka folur hapur për mënyrën sesi e sheh trajtimin që i bëhet trajnerëve shqiptarë nga presidentët e ekipeve. Pavarësisht arritjeve që mund të bëhen me skuadrat në kampionat dhe në Europë, me rezultatin e parë negativ që do të arrihet atëherë do të vijë menjëherë edhe shkarkimi.

Për këtë arsye Cungu ka folur për “Fax Sport” duke treguar rastin e Egbosë te Tirana. Trajneri i cili i mori bardheblutë nga vendet e fundit të renditjes, që i dha titullin kampion pas shumë vitesh dhe si dhuratë për 100-vjetorin, që i dha shumë fitore radhazi dhe një rekord më vete Tiranës në kampionat, për të vazhduar me paraqitjet dinjitoze në Europë.

Por eliminimi nga Kupa e Shqipërisë rezultoi shumë për drejtuesit që zyrtarizuan shkarkimin e tij. Cungu e përmbledh të gjithën këtë situatë në pak fjalë, sigurisht që në formën e batutës: “Kur ti mendon se je më i forti, atëherë bëhu gati sepse huri po vjen pas koke”.

“Nevil Dede ka shumë të drejtë për arsyetimet e tij pas ndeshjeve pasi Tirana në vijën e parë të sulmit ka lojtarë tërësisht të rinj. Vuhet mungesa e Kale, Torasa, ikja e Kobinas dhe Ngosë. Këta ishin lojtarë shumë të rëndësishëm për Tiranën në sezonin e kaluar. Largimi i Egbosë? Po çfarë të them më tepër, nuk kam koment tjetër.

Një trajner që e merr ekipin pothuajse në shkallët e fundit të tabelës, e dërgon në krye ekipin me javë e javë të tëra vetëm duke fituar dhe me shumë dinjitet në Europë, të largohet me dy ndeshje në fillim të sezonit, unë nuk mund të flas më tepër. Këtu nuk ka shumë kohë për t’u harxhuar në koment.

Po i tillë është futbolli te ne, e kam thënë edhe në formë batute më parë. Nëse ti mendon se je më i forti dhe më i konsoliduari, atëherë prite hurin pas koke. Kjo është ajo që ndodh në futboll dhe jetën tonë të përditshme”, u shpreh Cungu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *