“Çunat e Haxhit” përballë Skënderbeut, një model futbolli për gjithë Shqipërinë

A e kishit dëgjuar ndonjëherë deri vitin e shkuar apo këtë vit emrin Vitorul, një klub i vogël i futbollit rumun? Nuk ka sesi: bëhet fjalë për një klub të themeluar në vitin 2009, në Ovidiu.

U nis nga zero, nga një emër që nuk ka shqiptar të mos e njohë, George Haxhi, i cili investoi 10 milionë euro, një bast i jashtëzakonshëm për 52-vjeçarin. Qyteza Ovidiu është rreth 12.000 banorë, pak a shumë, krahasojeni pak me qytezat në Shqipëri, ka plot më të mëdha.

Stadiumi quhet Viitorul, ka një kapacitet prej 4,554 tifozësh dhe është inauguruar në vitin 2015. 4.500 tifozë, stadium modern me kosto të ulët: ta lexojnë mirë ata që mendojnë se Shqipërisë së vogël i duhen stadiume gjigantë!

Ekipi ka një pseudonim të veçantë: Pustii lui Hagi (Çunat e Haxhit). I rastësishëm? Jo, Haxhi nuk është se i bën qejfin vetes me nofka të tilla. Këtë janë vërtet djemtë e Haxhit, sepse ylli i futbollit rumun e nisi gjithçka me një akademi, duke mbledhur të rinjtë e krahinës dhe më pas pak nga pak të gjithë Rumanisë. Modeli? Haxhi shkoi në Holandë, vizitoi 5 akademi të famshme dhe nxorri shumë leksione.

Tani Vitoruli, që në shqip përkthehet ‘E ardhmja’, është një fabrikë suksesi: sezonin e shkuar fitoi bujshëm titullin kampion dhe verën e shkuar Haxhi, i cili bën presidentin dhe trajnerin, nisi të korrë frytet e biznesit të tij.

Koman u shit për 3 milionë euro, Nedelku për 2 milionë dhe Benzar për 1.2 milionë, të tre te Steaua. Dy të parët poshtë 21 vjeç. 6.2 milionë të arkëtuara nga Steaua, Skënderbeu i Rumanisë, kur vjen fjala për financat.

Mbrojtësi Kristian Ganea është shitur që tani për 1 milion euro te Atletik Bilbao, por do të largohet në 1 korrik 2018. Janë vetëm disa nga shitjet e Vitorulit, që vjet shiti djalin e George Haxhit për 2 milionë euro te Fiorentina, Marin te Standard Liezhi për 1.8 milionë euro dhe Tanase për 1.5 milionë te Steaua.

Në dy sezonet e fundit, Haxhi ka shpenzuar vetëm 50 mijë euro, për mesfushorin 23-vjeçar Rosu nga Konkordia. Sepse Haxhi i krijon vetë talentet, i rrit vetë, i zbulon vetë, nëpërmjet rrjetit të tij fantastik të zbulimit, nëpër gjithë Rumaninë. Vetëm 3 të huaj, dy prej tyre titullarë. Sulmuesi më i mirë i ekipit, Tukudean, është 26 vjeç. Babagjyshi i ekipit!

Ditët e fundit Vitoruli u ndesh me Gallatasarajin dhe Skënderbeun. Sa për informacion, kundër Gallatasarajit ishin në formacionin titullar 10 lojtarë të rritur në Akademinë e Haxhit.

Rumania duhet të investojë tek të rinjtë, është rruga e vetme për të krijuar një brez të rinj lojtarësh, si ai ku unë bëja pjesë, që mund të sfidonte këdo. Synimi im është të nxjerrim lojtarë edhe më të mirë se brezi im. Një akademi duhet të prodhojë një lojtar në vit për ekipin e parë, ky është detyrim, sidomos për klubet e mëdhenj, që kanë akademi serioze e shumë të organizuara“, thotë Haxhi.

Kush ka sy e kush përdor trurin, e kupton se edhe futbolli shqiptar të ardhmen duhet ta shohë si Vitoruli, jo si Mançester Siti. Ne nuk blejmë dot, ne duhet të prodhojmë. Investimi i vërtetë duhet të shkojë vetëm te fushat, sa më shumë të tilla, dhe te trajnerët, duke specializuar atë që kemi dhe duke afruar të huaj. Përndryshe, do të shohim çdo vit ndërtim e rindërtim ekipi, projekte që zgjatin 3 muaj dhe akuza pa fund për federatën dhe arbitrat kur nuk na ecën mbarë.

One thought on ““Çunat e Haxhit” përballë Skënderbeut, një model futbolli për gjithë Shqipërinë

  1. Do ju sugjeroja sportdashëve që kan njohuri të gjuhës angleze të lexojnë një artikull të shkëlqyer nga gazetari i anglez “Nick Ames” tek The Guardian që trajton këtë klub në mënyrë të imtësishme !

Leave a Reply to FLOR KP Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *