Në Superiore dëgjojmë shpesh çudira nga më të ndryshmet që vazhdojnë dhe duket se nuk kanë të mbaruar. Egnatia i befasoi të gjithë me lëvizjen duke larguar Shpëtim Duron “për shkak të rezultateve negative”. Për t’u theksuar se ky trajner e mori ekipin nga vendet e fundit dhe e dërgoi në vendin e katërt, ku janë aktualisht, vetëm dy pikë larg Vllaznisë së vendit të tretë.
Praktikisht me një lëvizje të tillë te Egnatia tregojnë se Europa është pak për ta, kërkojnë titullin kampion. Të paktën kjo është logjika që mund të qëndrojë dhe që sërish bie ndesh pasi nga ana tjetër, Vllaznia që e ka “detyrim” të vendosur nga presidenti titullin kampion, nuk ka as lëkundjen më të vogël për Josën që grumbullon vetëm 2 pikë më tepër nga Egnatia.
Për më tepër edhe me një markë të sjellë në merkaton e dimrit, Bekim Balajn. Një gabim të tillë Egnatia e bëri edhe në sezonin e shkuar me Maganin. Ky i fundit i renditet mes pozicioneve më të larta të tabelës, por më pas do të vinte ndryshimi i trajnerit dhe ekipi po luftonte për mbijetesë. Deri tani në elitën e futbollit shqiptar Egnatia ka treguar se është zgjuar në merkato dhe di të sjellë emra me vlerë të lojtarëve, por ndryshimet e trajnerëve janë shumë të pamundura për t’u perceptuar dhe kuptuar. /Sport Ekspres/