Çudira shqiptare në Kukës, politika bllokon… stadiumin

Kryetari i Bashkisë jo vetëm që nuk investon, por nuk lejon as rikonstruksionin. Gjici kandidat mesa duket “nuk i rri mirë”

Gjergji Stefa

Safet Gjici pothuajse ka vendosur të jetë kandidat për kryetar Bashkie për Kukësin në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe ky është një lajm i mirë për futbollin e këtij qyteti. Gjici e dashuron futbollin dhe nëse është dhe kryetar Bashkie mund ta ndihmojë qytetin sidomos në infrastrukturë. Ai ka qenë protagonist në kampionatin shqiptar në 6 vitet e fundit ndërkohë që prej 3 edicionesh nëse mund të shprehemi kështu ka ambiciet e veta dhe në politikë. Sigurisht që zgjedhjet e Bashkisë të ngjajnë si ndeshja Kukësi-Skënderbeu ndër vite. Partia Demokratike në Kukës është historikisht shumë e fortë dhe pavarësisht se Gjici është ndoshta personazhi më protagonist në qytet ngjarjet e fundit në rrugën e kombit ndoshta e kanë vënë disi në vështirësi. Gjithsesi, Gjici shpreson që ashtu si ndodhi një vit më parë në futboll, të fitojë dhe këtë trofe që do ishte epik për stemën që përfaqëson në një zonë sistematikisht të djathtë.

Ç’lidhje ka e gjitha kjo me ekipin e futbollit? Ka, patjetër. E para, Kukësi është shoqëri aksionare dhe Bashkia ka disa përqindje – qofshim të gabuar tanimë diku te 12% dhe asnjëherë nuk e ka përligjur dhe justifikuar kontributin në shoqëri. Në këto 6-7 vitet e fundit thonë që shuma që Bashkia ka borxh në shoqëri aksionare është më shumë se 700-800 milionë lekë të vjetra, por kjo duhet verifikuar, sepse është më shumë një llogaritje e thjeshtë. Nga ana tjetër, Bashkia asnjëherë nuk ia dhuroi stadiumin qoftë dhe pa ndryshim destinacioni dhe sot e kësaj dite kushedi pse stadiumi është ende pronë e Bashkisë. Gjici kontribuoi në rinovimin e stadiumit por kjo nuk vlejti. Tani kryetari i Bashkisë i përket Partisë Demokratike dhe ai po e përdor stadiumin, le të themi, për t’i treguar Gjicit forcën. Budallallëk me brirë, sepse futbolli është i të gjithëve dhe nuk duhet ngjyrosur. Kukësi është blu njësoj si “bolierët” mbi pallate dhe uniformat, por sot sporti nuk ka ngjyrë. Gjici nuk është se e ka përdorur ndonjëherë ekipin për fushatë, por nuk diskutohet që impakti publik që ka në qytet është i madh. Në 20 vitet e fundit nuk kishte parti që e mbushi sheshin si Gjici. Ai e mbushi duke çuar titullin kampion dhe jo duke bërë premtime elektorale.

Loja mes Tomit dhe Xherrit, pra Bashki-klub, vazhdon. Bashkia, megjithëse ka qindra miliona lekë borxh, ka vendosur një kuotë 4 milion lekë të vjetra për përdorimin e stadiumit në muaj dhe shpesh i ka hequr madje dhe energjinë elektrike. Presion i hapur. Ndërkohë jo vetëm nuk investon, por nuk lë as klubin të bëjë fushën dhe të rikonstrkutojë tribunat. Kjo gjë mesa duket nuk do ndodhë deri, por në zgjedhjet Bashkiake të 2019.

Fiton Gjici apo jo zgjedhjet, kjo nuk ka asnjë rëndësi për futbollin. Ai nuk do jetë në sytë e komunitetit asnjëherë kryetari Gjici por presidenti Safet, kështu që atje në Kukës kjo çudi alla shqiptare absurd dhe banale nuk ka asnjë vlerë. Nga futbolli fitojnë vetëm njerëzit, por askush nga ata 40 mijë votues nuk do votojë dikë sepse bëri apo nuk bëri fushën. Njerëzit kanë më shumë halle se sa futbolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *