Eduard Rroca ishte kthyer në objektivin kryesor të Shkëndijës së Tetovës për merkaton e verës. Fantazisti ishte i vetmi i mbetur në Gjirokastër nga treshja fantastike që krijonte me Abazajn dhe Bregun. Edhe ai dukej i destinuar për një lëvizje të rëndësishme, por që nuk u konkretizua.
Përkundraz, interesi i ekipit shqiptar që fitoi titullin në Maqëedoni është zbehur dhe tashmë palët janë më larg se kurrë. Shkak janë bërë pretendimet financiare të Luftëtarit, që nuk ka ndërmend të ulë me asnjë qindarkë çmimin e përcaktuar për Rrocën.
Gjirokastritët kërkonin 100 mijë euro për kartonin e mesfushorit dhe një përqindje në rast të rishitjes së lojtarit në të ardhmen. Shifra është cilësuar e ekzagjeruar nga drejtuesit e Shkëndijës, për faktin se Rroca ka vetëm një vit të mbetur në kontratë dhe bëhet fjalë për një lojtar jo më edhe aq të ri.
Te Luftëtari nuk pranuan ofertën e Shkëndijës, për të paguar menëjherë gjysmën e shifrës që ata kërkonin, ndërsa vlera do të ishte e përafërt me modalitetet e kontratës ndërmjet dy klubeve dhe me futbollistin. Sipas gjasave Rroca do të mbetet në Gjirokastër edhe për një sezon, për tu larguar më pas nga Luftëtari si lojtar i lirë.