FSHF kishte njoftuar që hyrja në ndeshjen Shqipëri-Irlandë e Veriut ishte falas dhe numri i tifozëve ishte i lartë, me tribunën që u tejmbush dhe më pas u hap edhe sektori C. Dita e djeshme u shoqërua nga reshje dhe normalisht një pjesë e mirë e tifozëve ishin pajisur me çadra, që nuk u lejuan në stadium nga policia.
Shumëkush u detyrua t’i lërë në hyrjen e tribunës, ndërkohë pas ndeshjes kush doli i pari u bë me çadër. Me fat ata të tribunës C, që është e hapur, ku disa prej tifozëve hapën çadrat.
Kjo çmenduri vazhdon prej kohësh dhe është pjesë e masave të sigurisë në stadiumet tona, por Federata duhet ta vrasë pak mendjen: Me ç’të drejtë u këkrkon njerëzve të shkojnë në stadium dhe pastaj u thotë “hidhni çadrat poshtë”? Ndonëse nuk është se e ndalon Federata hyrjen me çadër, është futboll dhe policia nuk ka të drejtë të largojë njerëzit nga stadiumi, duke u thënë që nuk hyjnë dot nëse nuk hedhin çadrat poshtë, sepse nuk e kemi luksin të blejmë çadër sa herë ka ndeshje futbolli. Nëse nuk e garantojnë dot sigurinë në stadium, ta mbyllin fare!