Në futboll jemi mësuar që mund të ketë transferta nga më të ndryshmet dhe me distanca të paimagjinueshme. Gjithsesi, në ditët e sotme çdo gjë është më e thjeshtë, pasi çdo distancë mund të përshkohet me avion, por kjo gjë nuk mund të sigurohet nga të gjithë klubet në glob.
Një shembull na vjen nga Kili i largët, ku në divizionin e tretë për nga rëndësia, klubi Independiente de Cauquenes, do t’i duhet të përshkojë më shumë se 3000 km për të luajtur në transfertë ndaj San Marcos de Arica, sfidë e vlefshme për kampionat.
Distanca mund të bëhet lehtë nëse bëhet fjalë për një udhëtim me avion, por këtu nis problemi. Klubi i Independientes nuk ka mundësi financiare për të siguruar një udhëtim me avion, pasi është i kushtueshëm për financat e klubit, kështu që do t’i duhet të udhëtojë me autobus.
Gjithashtu, Independiente ka dërguar dhe një shkresë në federatë, ku është shprehur se i është dhënë vetëm një muaj kohë për të përgatitur këtë transfertë dhe se nuk mund të sigurojnë fluturime ekonomike. Tashmë, i duhet të udhëtojnë me autobus.
Më shumë se 24 orë për të mbërritur dhe për të luajtur një ndeshje 90 minutëshe. Sfida do të luhet mbrëmjen e 21 prillit.