Mbrëmja e sotme ishte kaq shumë domethënëse për Ilir Dajën. Iliri ose ndryshe (I)Liri për shqiptarët në Europë. Nuk ka nevojë për çelje negociatash, nuk ka nevojë për BE dhe as për burokraci të kota, nga ato që duhet të presësh me vite e vite në radhë, duke u përulur dhe përgjëruar ndaj fuqive të mëdha. Të jemi edhe ne si ju!
Në Europë mund të futesh kaq lehtë, kaq thjeshtë, në të njëjtën tavolinë me të gjithë të tjerët, duke qenë i barabartë, fuqia e futbollit sigurisht. Hera e parë ishte për Ballkanin që dilte përtej Kosovës për të luajtur futboll, me Ilir Dajën në krye.
Papritur kjo skuadër është kthyer në temën kryesore të diskutimeve në të gjithë Suharekën, i gjithë qyteti flet vetëm për djemtë e saj. Shkupi është mundur në transfertë dhe grupet e Conference League janë vetëm një hap larg, por asgjë nuk është mbyllur plotësisht.
Këtë e di fare mirë edhe Daja që kërkon të ruajë qetësinë në intervistë duke kujtuar ndeshjen e kthimit, por thellë në shpirt, sot kishte shpërthimin dhe çlirimin e parë të madh. Arsyeja? Shumë e thjeshtë! Historike që një vend aq i vogël sa Ballkani të shkojë në grupet e një kompeticioni europian, historike që kjo skuadër dilte për herë të parë në Europë dhe mbi të gjitha…Partizani.
Në të gjithë karrierën e tij, trajneri protagonist është mësuar gjithmonë që të lërë gjurmë dhe të komplimentohet, në saj të punës së tij. Pavarësisht skuadrave që ka drejtuar dhe emrat e lojtarëve që mund të zotëronte, Ilir Daja ngrihej mbi skuadrën, me të njëjtën mënyrë siç edhe Pep Guardiola bën në ekipet që drejton.
Pra më shumë sesa për lojtarët, flitet për trajnerin. Madje edhe në Skënderbeun e dënuar, sërish arriti të gjente motive për t’i bërë futbollistët që të mos harronin detyrën e tyre. Ndoshta për herë të parë pas shumë kohësh, kjo nuk ndodhi te Partizani. Një “njollë” e lënë, nëse mund ta quajmë të tillë, që e bëri Dajën “të nervozuar”.
Fuqi nuk kishte për “të bërtitur” dhe reaguar mbi situatën, dukej qartë se lojtarët nuk e ndiqnin. Dhe pas asaj eksperience, vjen një mrekulli e tillë, nga ato që nuk përsëriten lehtë. Imagjinoni për një moment Ballkanin e Suharekës në të njëjtin grup me West Ham e Premier League. Kaq do të mjaftonte… /Sport Ekspres/