Ishte një befasi e madhe vendimi i trajneri Kristian Panuçi për të lënë jashtë Kombëtares sulmuesin Sokol Cikalleshi. 27-vjeçari ndryshoi sot skuadër dhe i kishte telefonuar teknikut italian për t’i kërkuar disa orë leje, por kjo gjë nuk është marrë parasysh nga Panuçi, i cili e ka përjashtuar kavajasin. Në një lidhje telefonike me “Supersport”, Cikalleshi ka reaguar në lidhje më këtë situatë, që sipas tij është një keqkuptim, duke u justifikuar me faktin se ai asnjëherë nuk ka qenë subjekt i ndëshkimeve disiplinore.
“Sot mbylla një nga transferimet më të suksesshme të karrierës time. Jam disi i mërzitur për keqkuptimin që ka ndodhur. Unë e mora në telefon trajnerin për të më toleruar disa orë, për arsye objektive, siç ishte transferimi tek Osmanlispori dhe për këtë gjë mora një përgjigje negative. Ndodhi sot dhe duhej të isha sot që të firmosja. Më duhej me patjetër që të merrja leje për disa orë. Çdo njeri e di se unë gjatë gjithë karrierës time si futbollist nuk jam penalizuar asnjëherë për thyerje të disiplinës dhe thjesht nuk mund ta pranoj. Unë i uroj suksese ekipit në këto dy ndeshje të radhës. A është Cikalleshi apo nuk është pak rëndësi ka. Rëndësi ka që të fitojë Kombëtarja”, përfundon Cikalleshi.