“Cikalleshi e ka marrë vendin me ‘dhunë’”, Shpëtim Duro e ka bindje: Manaj do të luajë në formacion

Shpëtim Duro ka qenë i pranishëm mbrëmjen e sotme në emisionin “Elite Show” në “Supersport”. Sigurisht që në temat e diskutimit nuk mund të mungonte Kombëtarja. Trajneri 64-vjeçar është i bindur se Rei Manaj do të luajë titullar në dy takimet miqësore. Sipas tij, në rast se sulmuesi shqiptar nuk do të mund të justifikojë besimin e Silvinjos në këto miqësore, atëherë do të humbasë shansin për të qenë në Euro 2024.

“Sylvinho duhet të respektojë të gjithë lojtarët që dhanë kontribut për kualifikimin. Dhe ai do i respektojë. Më vjen keq që Daku dhe Muja nuk janë, por mund të jenë në Europian. Edhe nëse nuk do të vinte Manaj, të gjithë do të thonim pse nuk vjen. Është Broja, që pavarësisht se nuk po luan, është sulmuesi i së ardhmes. Situatë e vështirë. Gjithë kostot e përzgjedhjes do i mbajë Sylvinho. E thotë Deschamps: ‘pjesa më e vështirë është kur formuloj listën e Francës’.

Arbër Hoxha? Super futbollist! Pashë edhe Mihajn, nuk është e lehtë të zgjidhesh në formacionin më të mirë të javës në Portugali. Manaj? Kam pasur rezerva për të. E humbi ritmin me Rejën, tani po bën mjaft mirë. E meriton Kombëtaren, është pjekur. Cikalleshi? E ka marrë vendin me ‘dhunë’ në 3-4 vitet e fundit. Nuk largohet, ka punuar shumë mirë për skuadrën. Trajneri ka shumë dhimbje koke. Kemi edhe një xhevahir si Muçi.

Jam i bindur që këto dy ndeshje do të luajë Manaj në formacion. Nëse nuk e justifikon, atëherë ‘digjet’ për Europianin. Pastaj, a lihet Daku pa u marrë në Europian?! Sylvinho ka merita për rezultatin. Boshti i Kombëtares janë Mitaj, Bajrami, Ramadani, Asllani dhe Asani. Këto janë meritat e trajnerit”, ka deklaruar Shpëtim Duro./Halit Delibashi-Sport Ekspres/