Një ndër skuadrat më të mira në Champions League këto vitet e fundit, Atletiko e Madridit, është pranë eliminimit që në grupe, pasi në këtë edicion ka dështuar deri tani dhe sot nuk arriti të fitonte sërish ndaj Karabakut. Kampionët azerë, ku si zakonisht ishte në formacion kapiteni i Shqipërisë Ansi Agolli, luajtën një ndeshje heroike, duke rezistuar deri në fund, edhe me 10 lojtarë për shumë minuta. Për ironi të fatit, mesfushori spanjoll Miçel shënoi në pjesën e parë për Karabakun, ndërsa Tomas Partej evitoi humbjen për Atletikon me një gol në minutën e 56-të. Më pas, karton i kuq për Karabakun dhe sulme pa fund nga Atletiko, por shumë pak ide, përballë murit mik. Tashmë Atletikos i duhet një mrekulli, ose më saktë të fitojë dy ndeshjet e fundit ndaj Romës dhe Çelsit, si dhe njëra prej tyre të gabojë ndaj Karabakut.
Roma ka marrë kreun e grupit, me një fitore të madhe 3-0 ndaj Çelsit të pafuqishëm, që u dorëzua pas dy goditjeve në pjesën e parë nga El Sharaui.
Edhe Juventusi vuajti tmerrësisht në Lisbonë, por mori një barazim 1-1 që mund të quhet fitore. Sportingu shënoi në minutën e 20-të me Bruno Sezar dhe luajti shumë mirë, duke i shkuar pranë edhe golit të dytë, por në minutën e 79-të lojtari më në formë, Gonzalo Higuain, shënoi golin që mban Juventusin në vendin e dytë, vetëm 3 pikë larg kualifikimit. Ndërkaq, Barcelona u ndal te barazimi pa gola në Greqi nga Olimpiakosi luftarak, që luajti një ndeshje të madhe, duke ndalur Mesin me shokë, që gjithsesi janë thuajse të kualifikuar, sepse u duhet vetëm një pikë në dy ndeshjet e mbetura.
Kualifikimin e ka arritur PSG, që shpartalloi Anderlehtin 5-0, ku shënoi edhe Nejmar, por mbreti i mbëmjes ishte mbrojtësi Kurzaua, me 3 gola. Feston edhe Bajerni, që është kualifikuar duke fituar edhe sot ndaj Seltikut 2-1, me gol vendimtar nga Havi Martinez në minutën e 77-të, 3 minuta pas barazimit vendas.
Mançester Junajtid në grupin A mposhti sërish Benfikën, 2-0, duke siguruar kalimin e turit, praktikisht, edhe pse jo zyrtarisht, sepse CSKA e Moskës mori hak ndaj Bazelit të Taulant Xhakës, duke fituar 2-1 në Zvicër.