Skuadrat e grupit D do të zbresin të parat në fushë, por kualifikimi për në raundin tjetër është një kapitull i mbyllur. Gallatasarai pret në shtëpi Porton, që ka arritur të sigurojë jo vetëm kalimin më tej, por edhe vendin e parë. Turqit janë më të motivuar dhe duan me çdo kusht që të marrin një fitore që do i mbante në arenën ndërkombëtare, por në Europa League. Edhe Shalke duket e pamotivuar, duke qenë se nuk i cenohet vendi i dytë, ndërsa Lokomotiva e Moskës shpreson që Gallatasarai të mos marrë maksimumin e pikëve në ndeshjen e saj, që me një fitore në Gjermani të arrijë vendin e dytë. Duket një mision i vështirë për t’u arritur.
Në grupin B, Barcelona e kualifikuar si e para e grupit mund të thuhet se ka në dorë edhe fatin e skuadrës që do ta ndjekë në rrugëtimin në Champions. Kampionët e Spanjës presin Totehneimin, i cili shpreson te fitorja, por do të jetë sy e vesh edhe nga Milano, ku Interi do të kërkojë një goleadë ndaj PSV-së, për të rritur shanset e saj për kualifikim. Katalanasit vështirë se do të kenë formacionin e parë, por varet se sa Totehmin do të ketë shanse për të marrë maksimumin në Spanjë. Interi do të shpresojë që Barça të bëjë më të mirën e saj, por pa harruar se si fillim do u duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë ndaj holandezëve.
Në grupin A do të luhet vetëm për vendin e parë dhe për asgjë tjetër. Atletiko e Madridit do të mjaftohej me një fitore minimale ndaj Klub Bryzhit për të qenë kokë grupi. Dortmund në anën tjetër do të vizitojë Francën, për t’u ndeshur me Monakon, e cila është e fundit me vetëm 1 pikë dhe nuk ka asnjë objektiv.
Në grupin C nuk ka llogari. Nga Napoli i vendit të parë e deri te Cervena Zvezda e vendit të fundit janë në garë për dy vendet e para. Napoli do të shkojë në Angli, ku do të përballet me Liverpulin. Barazimi favorizon skuadrën e Hysajt, pasi minimalisht do të kalonte më tej, por për të ruajtur vendin e parë do të duhej të fitonte dhe të mos shihte se çfarë bëhet në ndeshjen mes Cervena Zvezdës dhe PSG-së. Ka dhe një skenar që Napoli të kalojë më tej edhe pa fitore, nëse në Serbi, PSG nuk arrin të marrë dot asnjë pikë. Cervena Zvezda shpreson që Napoli të bëjë mrekullinë ndaj Liverpulit dhe ata të triumfojnë ndaj PSG-së. Do të ishte vërtetë një skenar i çmendur për ta.
18:55 | Gallatasarai – Porto
18:55 | Shalke – Lokomotiva Moskës
21:00 | Barcelona – Totenhem
21:00 | Klub Bryzh – Atletiko Madrid
21:00 | Crvena Zvezda – PSG
21:00 | Inter – PSV
21:00 | Liverpul – Napoli
21:00 | Monako – Dortmund