Champions, Hysaj sfidon Balotelin

Agolli, Cikalleshi e Hasi njohin kundërshtarët në Ligën e Kampioneve. Napoli kundër Nisës

Shqiptarët përballje “luksi” në Champions League. Hysaj kundër Balotelit. Kjo është ”qershia mbi tortë”, ndonëse Agolli, Cikalleshi e Besnik Hasi nuk do ta kenë shëtitje. Shorti për ndeshjet e fundit para fazës me grupe ka zbuluar një sfidë shumë interesante. Napoli i Elseid Hysajt do të ketë përballë francezët e Nisës, skuadra ku luan sulmuesi Mario Baloteli. Takimi i parë do të luhet në Itali. Një kthim i “SuperMarios” në gadishull, ku do të përballet me Elseid Hysajn në fushën e lojës.

Veç ndeshjes Napoli-Nisë, shorti i “play off” të Champions Leagues ka përcaktuar edhe çiftet e tjera nga ku do të jepen 10 biletat e fundit për të kompletuar fazën me grupe të veprimtarisë më të rëndësishme në rang klubesh në të gjithë Europën. Nga të gjithë shqiptarët e pranishëm në Champions, shorti më i vështirë i ka rënë Sokol Cikalleshit. Skuadra e tij turke Basakshehir do të përballet me Sevilla, një eksperte e kompeticioneve europiane, fituese edhe e Europa League.

Mbetet për t’u parë nëse Cikalleshi do të ketë minuta aktivizimi, pasi ky është problemi më i madh për të. Karabaku i Ansi Agollit do të ndeshet me kampionët e Danimarkës, Kopenhagenin. Sipas shortit, takimi i parë do të zhvillohet në Azerbajxhan. Por nuk mbaron këtu, sepse veç lojtarëve në fushë do të jetë edhe një trajner. Bëhet fjalë për Besnik Hasin dhe skuadrën e tij greke.

Olimpiakosi do të jetë përballë kampionëve të Kroacisë, Rijekës. Ndeshjen e parë skuadra greke e drejtuar nga trajneri shqiptar do ta luajë në shtëpi. Dy ndeshje shumë të bukura pritet të “nxjerrin” gjermanët e Hofenhajmit dhe anglezët e Liverpulit, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet në Gjermani. Skuadrat që do të kualifikohen në sfidën e dyfishtë do të vazhdojnë ëndrrën, ndërsa ekipet e eliminuara do të ngushëllohen me praninë në grupet e Europa League. Një gjë është e sigurt, si Hysaj, Agolli, Cikalleshi e Hasi padyshim që do të luajnë në Europë. Gjithsesi, varet në Champions apo Europa League…

LIGA E KAMPIONEVE – FAZA “PLAY-OFF”

Karabak (Azerbajxhan) – Kopenhagen (Danimarkë)

APOEL (Qipro) – Sllavia Pragë (Çeki)

Olimpiakos (Greqi) – Rijeka (Kroaci)

Sëlltik (Skoci) – Astana (Kazakistan)

Hapoel Bir-Sheva (Izrael) – Maribor (Slloveni)

Istanbul Bashakshehir (Turqi) – Sevilja (Spanjë)

Jang Bojs (Zvicër) – CSKA Moskë (Rusi)

Napoli (Itali) – Nisë (Francë)

Hofenhajm (Gjermani) – Liverpul (Angli)

Sporting Lisbonë (Portugali) – Steaua Bukuresht (Rumani)

15 & 23 gusht është data e dy sfidave të “Play-off”-it të Champions Leagues

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *