Çfarë trajneri! Çdokush ta ndëshkonte për gabimet, tekniku i Hamburgut: Kthejeni ndeshjen për Gjasulën

0

Nga Klaudio Ndreca

Një trajner i madh bëhet vetëm nëse është i këtyre përmasave edhe në qënien njerëzore. Sa i përket teknikut të Hamburgut, Daniel Thioune, është në rrugën e duhur. Rasti me Klaus Gjasulën e tregoi më së miri, ndërsa Hamburgu ka pikët e plota në dy ndeshje dhe kërkon ngjitjen në Bundesligë.

Por çfarë ndodhi saktësisht? Në mbrëmjen e djeshme Hamburgu zhvilloi përballjen në transfertë ndaj Paderbornit. Ishte momenti që Klaus Gjasula të përballej me të shkuarën “e freskët” dhe ngarkimi emocional iu kthye në pikën që të ishte e papërballueshme për të.

Teksa Hamburgu ishte duke kryesuar në shifrat 0-2, disa gabime të Gjasulës bënë që rezultati të kthehej në 3-2 brenda vetëm 4 minutash. Për çdo ekip ky do të ishte një shokim dhe padyshim që në pjesën më të madhe të rasteve, trajnerët do ta ndëshkonin lojtarin që gabon, në këtë rast Gjasulën.

Por jo Thioune që ka një besim të madh te mesfushori shqiptar. Vetë Gjasula ka treguar edhe diskutimin e trajnerit që e impresionoi në dhomat e zhveshjes: “Trajneri na tha në fundin e pjesës së parë se duhet ta kthejmë ndeshjen për mua. Ky ishte një motivim i madh padiskutim. Unë e dija që nuk ishte e pamundur, i kishim cilësitë. Kur kemi fituar u lehtësova shumë nga përgjegjësitë”. Trajneri i Hamburgut vazhdoi ti besonte Gjasulës deri në minutën e 65, duke mos e lënë në dhomat e zhveshjes. Në fund kishte edhe një festë me birra për të harruar të gjitha gabimet dhe historinë e keqe nga Paderborni dhe për të shijuar suksesin e merituar. /Sport Ekspres/

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.