Nga Klaudio Ndreca
Në dy përballjet e fundit të Kombëtares së Shqipërisë është vënë re një problem i madh te kuqezinjtë që lidhet me konkretizimin e rasteve të krijuara. Mungesa e ftohtësisë përpara portierit kundërshtar për të tundur rrjetën, që është edhe qëllimi kryesor në një ndeshje futbolli, kërkon një kurë të shpejtë për të rikthyer entuziazmin në Kombëtare.
Koha nuk pret dhe në mesin e muajit nëntor do të luhen edhe dy takimet e fundit të grupit në Ligën e Kombeve. Objektivi mbetet vendi i parë dhe barazimet e marra ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë e vështirësojnë së tepërmi gjendjen.
Ndërkohë situata e sulmuesëve shqiptarë në Europë nuk është aspak e mirë, ndërsa kanë kaluar një nga javët më të vështira. Askush prej tyre nuk ka arritur që të realizojë, ndërsa Armando Sadiku ka lënë pas dëmtimin dhe kthehet për herë të parë me Erzurumsporin. I vetmi që ka pasur më tepër minuta në këmbë ishte Armando Broja që luajti për pjesën më të madhe të takimit kundër PSV-së në fitoren e Viteshes, ku u paraqit mirë, megjithëse nuk shënoi.
Sigurisht që vetëm kaq nuk mund të mjaftoi. I vetmi sulmues shqiptar që ka realizuar në Europë ishte Abazaj me Instabulsporin, megjithëse në Kombëtare nuk e ka marrë ftesën prej kohësh. Në mesin e një shkretëtire gjendet “Kristali”! Një nisje e keqe e sulmuesve shqiptarë që nuk po arrijnë të bëjnë detyrën për të shënuar gol me ekipet e tyre, ndërsa ky problem është edhe me futbollistët e Kosovës. Ndryshe nga më parë edhe këtë herë nuk dallon thuajse asnjë emër prej lojtarëve kryesorë që janë në vijën e parë të sulmit që të kenë shënuar në këtë fundjavë me ekipin që përfaqësojnë, ndërsa ndeshjet e nëntorit afrohen gjithmonë e më shumë. /Sport Ekspres/
Sokol Cikalleshi 12 minuta, Gaziantep-Konyaspor 0 gol
Armando Sadiku 6 minuta, Erzurum-Galatasarai 0 gol
Armando Broja 81 minuta, Vitesse-PSV 0 gol
Florian Kamberi nuk ishte i grumbulluar nga St Gallen
Myrto Uzuni nuk ishte i gatshëm për Ferencvarosh
Bekim Balaj 19 minuta, Ried-Sturm Graz 0 gol
Odise Roshi i ulur në stol dhe nuk aktivizohet te Akhmat Grozny
Taulant Seferi nuk ishte i grumbulluar nga Young Boys
Xhakomo Vrioni aktivizohet në minutën e 90 te Juventus-Verona
Rei Manaj nuk shihet askund te Barcelona