“Çfarë kishte Shqipëria më shumë se ne?”! Gazetarët pyesin De Biazin pas humbjes me Serbinë

“Kam ardhur te Azerbajxhani për të treguar se mrekullitë ndodhin më shumë se njëherë në jetë”. Me këto fjalë, De Biazi i nisi kualifikueset e Botërorit duke kërkuar që të përsëris historinë e tij, por këtë herë me ngjyra të tjera. Pas arritjes në Europian me Shqipërinë, në një kohë që askush nuk e besonte këtë arritje, objektivi i radhës është për kualifikimin e Azerbajxhanit në fazën më të lartë të futbollit.

Por deri në këto momente shenjat nuk janë aspak të mira. Kombëtarja e drejtuar nga De Biazi mori edhe humbjen e dytë, teksa u mundën në shifrat 1-2 ndaj Serbisë. Kritikat në Azerbajxhan janë të jashtëzakonshme për trajnerin italian pasi zgjedh futbollin mbrojtës dhe nuk ka aspak fizionomi sulmuese. I pyetur për objektivat që ka Azerbajxhani, De Biazi u shpreh pas ndeshjes me Serbinë:

“Më vjen pak për të qeshur. Kam folur me lojtarët dje. U thashë: “Nëse marrim për bazë vlerësimin, dalim të 5 në grup. Doni të rrini këtu?”. Nëse duam që të ndryshojmë, atëherë nuk duhet të kemi frikë nga asgjë dhe duhet që të luftojmë deri në fund. Sot ne mund të shënonim një gol në pjesën e parë dhe nuk e bëmë.

Do të vazhdojmë me këtë filozofi. Shumë nga lojtarët e Serbisë luajnë në ekipet kryesore të Europës. Ne kemi vetëm Nuriyev që luan me një ekip të Ukrainës që renditet në vendin e 13. Më janë dashur 4 vite që të arrija në Europian me Shqipërinë. Ne formuam një ekip në dy vitet e para. Pastaj lamë Serbinë, Danimarkën dhe Armeninë pas dhe shkuam në Europian”, u shpreh De Biazi.

Ndërkohë një gazetar nga Azerbajxhani ka pyetur trajnerin italian se çfarë kishte Shqipëria më shumë që mbërriti larg: “Janë disa arsye të tjera. Shumë shqiptarë u zhvendosën në Europë në vitet 90. Situata nuk ishte e mirë atje kur mbërrita për herë të parë. Tifozët nuk e imagjinonin që ne do të shkonim në Europian, por ne e arritëm”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *