Çfarë i ka ndodhur Greqisë në 4 shtator të vitit 2004? Pikërisht në momentin që helenët vinin pas atij suksesi të madh, teksa fituan Europianin ndaj Portugalisë. Por menjëherë sapo zbritën në tokën shqiptare, tifozët do e paraprinin me hapjen e banderolës: “Këtu nuk është Portugali”.
Ashtu edhe ndodhi, teksa kuqezinjtë tanë na dhuruan emocione të forta dhe ndeshjen e jetës, duke fituar me rezultatin 2-1. Për të risjellë sërish në vëmendje këtë moment të paharrueshëm, mendon edhe kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana. Me krenarinë e madhe për atë fitore të arritur, Cana ka shpërndarë në “Instagram” edhe triumfin e arritur në atë kohë. Në foton e shpërndarë ka reaguar edhe Thomas Strakosha, duke shkruar: “Më fal Lorik, por më i miri është portieri, babi”.
Ndoshta e gjitha kjo mund të shërbej edhe si një motiv për djemtë e Kombëtares, se e pamundura nuk ekziston në këtë sport. Sigurisht që bëhej fjalë vetëm për një ndeshje të zhvilluar në shtëpinë tonë me një histori tjetër, por nëse befasuam dikur kampionin e Europës, përse të mos e bëjmë të njëjtën gjë edhe ndaj atyre të botës? /Sport Ekspres/