Tirana humbi në shifrat 4-0 ndaj Fenerbaces në miqësoren e sotme. Sigurisht që në një përgatitje të tillë për turin e “Champions League” vlen më tepër kjo humbje sesa një fitore e “gënjeshtërt” ndaj rivalëve të dobët. Por çfarë na mësojë realisht ky takim sa i përket paraqitjes së lojtarëve?
Orges Shehi zgjodhi të luante me formacionin e parë dhe me vendosjen që në fakt pritet të jetë në fushë ndaj Dudelangës. Madje edhe në ndërrimet e bëra, trajneri zgjodhi vetëm tre të tilla, pavarësisht se bëhej fjalë për miqësore, por Shehi ishte i vetëdijshëm se në të kundërt rezultati do të merrte përmasa dramatike.
Da Silva vazhdon të tregojë se nuk mund të jetë kër.cënues në portën kundërshtare. Ky sulmues po na kujton makthet e Ngosë që marrëdhënien me portën nuk e kishte pikën e tij më të fortë, por nga ana tjetër është sulmues pykë. Te bardheblutë duhet të shohin një zgjidhje për këtë aspekt që çalon shumë.
Behiratce ka treguar nivelin më të mirë duke iu kundërpërgjigjur cilësive të shumta të sulmuesëve të Fenerbaces. Pavarësisht atij gabimit te goli i tretë në stopimin e topit, ndeshja në tërësi ishte e interpretuar më së miri nga ana e mbrojtësit që meriton përgëzime. Sa i përket afrimit të ri, Aleksit, duhet ende kohë që ky lojtar të përshtatet me bardheblutë. Kjo u pa qartë në ndeshjen e sotme dhe vetë mesfushori nuk do të ketë qenë i kënaqur me veten në përfundimin e 90 minutave.
Ndërkohë lëvizja që solli goditjen më të madhe te Tirana ishte aktivizimi i Nuriut, me kundërshtarët që po “hidhnin valle” në krahun e tij. Por sigurisht që kjo ishte një miqësore dhe Shehi duhet të provojë të gjithë lojtarët. Taulant Seferi meritonte notë positive për përpjekjen e tij në sulm, ndërsa edhe Xhixha dha disa shkëndija. Pa harruar faktin se 2 nga 4 golat erdhën nga goditjet standarte dhe duhet të punohet më shumë për vendosjen e lojtarëve. /Sport Ekspres/