Lojtarët shqiptarë nuk po arrijnë të bëjnë hapa shumë të mëdha dhe të jenë pjesë e ligës turke të futbollit, përjashto sulmuesin Sokol Cikalleshi. Tani, nuk po flitet vetëm për lojtarë, por dhe për trajner. Tekniku me origjinë shqiptare Xhengiz Rexhepi ka firmosur me ekipin e Sivasporit në Turqi.
Emri i tij nuk njihet shumë në Shqipëri, pasi ka punuar në Kosovë, por së fundmi është dhe zëvendëstrajner i ekipit kombëtar të Maqedonisë. Rexhepi ka vlera dhe këtë e demostron dhe firma e tij e fundit. Ai u bë pjesë e ekipit të Sivasporit si zëvendëstrajner dhe do të mbajë dhe rolin e trajnerit në Maqedoni. “Sport Ekspres” kontaktoi direkt me teknikun për të kuptuar vërtetësinë e lajmit.
“Me kënaqësi të madhe mund të konfirmoj se nga dita e sotme edhe zyrtarisht jam pjesë e skuadrës së Sivasporit që militon në Super Ligën e Turqisë. Kam firmosur kontratë një vjeçare dhe do të jem pjesë e stafit teknik si ndihmës i kryetrajnerit Tamer Tuna. Dua të pranoj se për mua kjo paraqet sukses të madh dhe në të njejtën kohë edhe nder që më jepet rasti të punoj në Super Ligën e Turqisë. Me këtë rast falënderoj trajnerin Tamer Tuna që tregoi besim te unë dhe ndikoi të realizohet kjo marrëveshje.
Patjetër të jem i sinqertë dhe të pranoj se ky transferim do të ishte i pamundur pa pozitën time si ndihmës i përfaqësueses A të Maqedonisë, ku do të vazhdoj detyrën time edhe në të ardhmen. Jam falenderues ndaj atyre që më kanë mbështetur dhe kam njoftuar për këtë nën-kryetarin e FFM-së, Muhamet Sejdini dhe trajnerin Igor Angelovski”, – u shpreh ai për gazetën.