Jahmir Hyka u zyrtarizua ditën e djeshme si lojtari më i ri i ekipit izraelit të Makabi Netanias. Mesfushori i kombëtares, la Amerikën pas dy sezonesh, duke zgjedhur Izraelin, vend ku nuk ishte aktivuar asnjëherë më parë.
Izraeli njihet si një vend me konflikte të shumta politike dhe kjo duket se ka ndikuar dhe te Hyka. Disa foto të postuara nga 30-vjeçari vite më parë, duket se janë kthyer në çështje dhe mesfushori ka reaguar menjëherë me një postim në llogarinë e tij në “Instagram”. Hyka ka sqaruar plotësisht gjithçka, duke kërkuar dhe falje në rast se kishte ofenduar ndokënd.
Fjalët e Jahmir Hykës
Të dashur tifozë të Makabi Netanias
Dua të bëj të qartë diçka. Nuk kam asgjë kundër Izraelit dhe izraelitëve. Në fakt, në udhëtimet e mia në Izrael si pjesëtar i ekipit kombëtar, kam pasur gjithmonë eksperienca të mira dhe e kam shijuar kohën e shkurtër që kam kaluar atje. Jam kundër luftës dhe vdekjes së njerëzve të pafajshëm. Do të doja të kërkoja falje, në rast se fotot që kam postuar vite më parë kanë ofenduar ndonjë njeri, nuk ishte qëllimi im. Në vendin tim, ne kemi shumë respekt për hebrenjtë dhe luftën e dytë botërore ne ndihmuam hebrenjtë gjatë Holokaustit. Jam shumë i emocionuar që jam në Izrael dhe dua të mësoj më shumë për vendin dhe mbi të gjitha të ndihmoj Makabi Netanian të arrijë objektivat dhe të bëjmë tifozët të lumtur. Shpresoj që ta arrijmë të gjithë së bashku dhe Yalla Netanya.