Jyrgen Klop ka dalë në mbrojtje të futbollistëve të kombëtares gjermane Mesut Ozil e Ilkaj Gyndogan, në lidhje me çështjen Erdogan.
Dy lojtarët dolën në fotografi në presidentin turk para Kupës së Botës, duke i dhuruar edhe një fanellë me përkushtimin “Për presidentin tim”.
Për Klop, thirrjet për largimin e lojtarëve nga kombëtarja janë “budallallëqe”, edhe pse në një intervistë për Bild ka pranuar se veprimi i tyre ishte “një veprim në rrethana shumë të pafata”.
“Të dy nuk patën askënd që t’i këshillonte si duhej dhe këtu fajësoj edhe klubet përkatës, sepse ata janë të rinj dhe duhej dikush në eksperiencë t’i orientonte. Të gjithë presin një ndjesë publike, por nuk duhet të harrojmë që Ozil e Gyndogan kanë 50, 60 apo 70 për qind të familjes së tyre në Turqi. Nuk kam dëgjuar askënd që të ofrojë një zgjidhje të arsyeshme.
“Njerëzit inteligjentë në Gjermani kërkojnë tolerancë, por për fat të keq dëgjohen me shumë ata që çirren e bërtasin”.
Për Klop, konfirmimi i Joakim Lëvit është zgjedhja e duhur: “Mendoj se është absolutisht vendimi i duhur. Personalisht, nuk e kam menduar kurrë kombëtaren, jam i përqendruar te Liverpuli edhe për shumë vite”.